BQE synon vitin 2029 për emetimin e euros dixhitale

Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të përgatisë terrenin për euron dixhitale edhe pasi faza aktuale përgatitore të përfundojë këtë muaj, duke parashikuar vënien në qarkullim të saj brenda katër viteve të ardhshme.Zyrtarët pritet të vendosin për vazhdimin e punës përgatitore në një takim këtë javë në Firence të Italisë. Ata po synojnë të emetojnë monedhën dixhitale në vitin 2029, me kusht që të ekzistojë një kuadër ligjor përkatës.Banka Qendrore Europiane nisi fazën dyvjeçare të përgatitjes së projektit në vitin 2023, me shpresën se Bashkimi Europian do të miratonte ndërkohë rregullat e nevojshme për të hedhur në qarkullim versionin dixhital të barasvlershëm me kartëmonedhat dhe monedhat fizike. Por qeveritë kombëtare dhe Parlamenti Europian ende nuk kanë arritur një marrëveshje.Pengesën më të madhe e ka shkaktuar Partia Popullore Europiane (EPP), ku disa eurodeputetë kanë preferuar të kërkojnë një alternativë nga sektori privat në vend të zgjidhjes dixhitale të ofruar nga BQE-ja. Megjithatë, presioni për të zhbllokuar ngërçin po rritet, pasi politikëbërësit shprehin shqetësim për varësinë e tepërt nga kompanitë amerikane si Visa, Mastercard dhe PayPal në pagesat e blerjeve me pakicë.Frika se monedhat e qëndrueshme të mbështetura në dollar (stablecoins), të promovuara nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të fitojnë terren në Europë, ka shtuar më tej urgjencën e debatit.Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe zyrtarë të tjerë po bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit, në mënyrë që të forcohet autonomia strategjike e Europës në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike. Sipas burimeve, kjo do të reflektohet edhe në komunikimin zyrtar të së enjtes.Data e mundshme e emetimit u përmend publikisht për herë të parë nga anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, i cili në shtator deklaroi se “mesi i vitit 2029 mund të jetë i arsyeshëm”. Faza aktuale e përgatitjes pasoi një periudhë dyvjeçare hetimore.Ndërkohë, BQE-ja ka intensifikuar gjithashtu punën për një version “me shumicë” të monedhës dixhitale të bankës qendrore (wholesale CBDC). Në korrik, ajo miratoi një plan që do të mundësojë shlyerjen e transaksioneve të kryera përmes teknologjisë DLT (Distributed Ledger Technology) duke përdorur para të bankës qendrore. / BloombergKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.