I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, ka theksuar se shkaku kryesor i aksidenteve rrugore në vend mbetet sjellja e drejtuesve të automjeteve. Sipas tij, studimet e viteve të fundit tregojnë se rreth 95% e aksidenteve rrugore shkaktohen nga gabimet e drejtuesve të mjeteve.
Ai shtoi se një rol të madh në aksidente luan përdorimi i alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe mungesa e durimit në trafik.
“Problematika më e madhe tek ne ndodh pikërisht nga sjellja e drejtuesit të automjeteve dhe shifrat janë me të vërtet tronditëse sepse në të gjitha studimet që janë bërë vitet e fundit ka arritur deri në 95% të shkaqeve të aksidenteve rrugore janë drejtuesit e mjeteve. Edukimi duhet të filloj që në parashkollor. Sepse nuk njohim rregullat bazë të qarkullimit . Me përgjegjësi mund të them se shumë njerëz edhe pse kanë leje drejtimi ende nuk njohin sinjalistikën rrugore. Kemi një problematik të shtuar shumë edhe me gjendjen e mjetit. Njerëzit përdorin alkoolin, celularin dhe janë dy gjëra të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në aksidentet rrugore. Ose padurimi që kemi për një trafik të shtuar, dhe menjëherë sa lirohet trafiku kemi aksidente sepse durimi ka vajtur deri në një masë të tillë sa njerëzit shtypin gazin më shumë se c’duhet”, u shpreh Hasho.
Hasho theksoi gjithashtu rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit dhe respektimit të kufijve të shpejtësisë, duke thënë se shpejtësia e tejkaluar, parakalimet e gabuara dhe moszbatimi i rregullave bazë janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.
“Mos vendosja e rripit, mbajtja e fëmijës përpara janë gjëra të cilat nuk ka nevojë ti themi përditë sepse këto janë rregulla të shkruara dhe të padiskutueshme. Shpejtësia që është vendosur nuk është vendor pa qëllim, dhe ka një lidhje logjike mes tabelave dhe rrugës. Aksidentet rrugore me pasoja të rënda është shpejtësia e tejkaluar, parakalimi i gabuar, përdorimi i alkoolit dhe celularit janë fatale”, tha ai.
Aksidentet, flet eksperti: Shpejtësia, parakalimi i gabuar, alkooli dhe celulari arsyet kryesore
