Votoi kundër Komisionit për Reformën Zgjedhore, Muçi: Ja cilat janë pikat kryesore që duhet të ndryshohen në sistem

Redi Muçi, deputeti i Lëvizjes Bashkë, ishte një nga të paktët deputetë që në seancën plenare të ditës së hënë votoi kundër ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.
I ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, Muçi tha se votoi kundër pasi Lëvizja Bashkë është e vetmja forcë që nuk do të ketë të drejtë vote në Komision.
Ndërsa renditi disa ndryshime që janë shumë të nevojshme në Reformën Zgjedhore, duke nisur nga roli i medias, te financimi i partive.

Pjesë nga biseda:
Borakaj: Pse votuat kundër Komisionit të Reformës Zgjedhore?
Muçi: Se di pse votoi kundër Partia Mundësia, pasi ajo do të përfaqësohet me të drejta të plota. Lëvizja Bashkë është i vetmi subjekt politik pa të drejtë vote. Gjiknuri tha se nuk do të kenë të drejtë vote, por do të jenë njësoj si gjithë të tjerët, të japin mendime. Unë votova kundër kësaj. Megjithatë, ne do të jemi në atë komision. Do të japim propozimet tona.
Borakaj: Çfarë duhet rregulluar?
Muçi: Nuk shoh problematikë në vetvete te sistemi zgjedhor. Në vetvete ky është sistemi i vitit 2008, ku votat që nuk prodhojnë mandat i shkojnë partisë më të madhe, prandaj sot kemi PS me 83 mandate. Sigurisht që ka plot sisteme zgjedhore që mund të avantazhojnë partitë e vogla. Proporcionali Kombëtar me prag të ulët do të na favorizonte neve.
Borakaj: Duhet ndryshuar sistemi patjetër?
Muçi: Kryefjala e ndryshimit është financimi i partive, roli i medias dhe kryesorja tjetër është kontrolli i rrjeteve sociale, ku nuk ka asnjë kontroll mund të hedhësh sa lekë të duash. E treta do të ishte depolitizimi i komisionerëve të procesit të votimit dhe numërimit.
Borakaj: Kush duhet të jenë?
Muçi: Qytetarë të thjeshtë, jo militantë të partive.