“Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive”/ Personat e veshur me pushtet, flet Zhupa: Janë premtuar…

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në Takimin e njëzetë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian deklaroi se turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive.
Zhupa tha se investitorët strategjikë gjatë fushatës elektorale kishin objektiv votat në zonat e tyre, ku kanë premtuar investime në shkëmbim të votave. Më tej, deputetja u shpreh se çdo ditë merren 80 mijë euro nga taksat e qytetarëve në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Fjalimi i plotë:
Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive dhe preferenciale të “investimeve strategjike”. Këta të fundit kanë përfituar këtë status jo rrallëherë në mungesë të theksuar të procedurave konkurruese dhe të transparencës publike. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për persona të veshur me pushtet politik, si në rastin e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, znj. Xhaçka, apo për pastrimin e parave nga krimi i organizuar nëpërmjet individëve “prestanome”, pa historik të kapitalit financiar të justifikueshëm.
Gjatë fushatës elektorale, investitorët strategjikë kishin si objektiv votat në zonat e tyre. Në zonën time elektorale janë premtuar investime të reja strategjike në Lekurës e në Ksamil.
Mega-afera e koncesionit të aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit. Projekti tashmë i korruptuar edhe publikisht dhe në shkelje të MSA-së, për mungesë konkurrimi në tenderim, mbetet një rrezik për biodiversitetin, florën dhe faunën e lagunës së Nartës.
Nga ana tjetër, prej muajsh mediat raportojnë se kantieri është jashtë pune, duke kujtuar se Aeroporti i Mynihut është tërhequr nga supervizimi, për shkak të presionit mbi shkeljet e konventave ndërkombëtare dhe rrezikut mjedisor. Dëmi që i është shkaktuar aktualisht, edhe nëse projekti nuk përfundon, do të krijojë një ndotje afatgjatë dhe mjaft të rëndë për mjedisin e zonës së mbrojtur.
Projektet infrastrukturore mbeten projekte korruptive, që nuk janë ngritur në nivelin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik. Ato janë më shumë dosje hetimore sesa investime të frytshme për vendin.
Ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” ishte hartuar në frymën e legjislacionit dhe të parimeve evropiane, me asistencën e ekspertëve. Deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë raport apo analizë studimore që të dëshmonte vështirësitë e zbatimit të ligjit apo probleme të mundshme në terren.
Pra, dukshëm nuk kishte asnjë arsye apo shqetësim real për të propozuar ndryshime drastike në këtë kuadër ligjor. E aq më pak, nuk ishte e nevojshme që këto ndryshime të bëheshin pa konsultime me ekspertë dhe institucionet përgjegjëse vendase apo të huaja.
Në lidhje me mjedisin, kujtojmë se në vitin elektoral janë përcaktuar të mbillen të paktën 1 miliard e 200 mijë rrënjë kanabis, sa kurrë ndonjëherë më parë në histori. Dhe të gjitha këto, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me “certifikatë shteti”. Narkoqeveria ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme leje për mbjelljen e mbi 29.000 hektarëve drogë, ndërkohë që ligji parashikon vetëm 200 hektarë në total. Ky veprim ishte një formë blerjeje masive të votave, në kundërshtim me ligjin dhe me konventat ndërkombëtare.
Në Shqipëri janë harxhuar miliona euro, dhe vazhdojnë të harxhohen, për futjen e metodës së incenerimit. Tashmë, pa pranuar dështimin, ne vijojmë të paguajmë kostot e korrupsionit. Në fakt, asnjë incenerator nuk funksionon: as ai i Elbasanit, as i Fierit, ndërsa ai i Tiranës as që ekziston, por merr 80 mijë euro çdo ditë nga taksat e qytetarëve. Një aferë prej 430 milionë eurosh, ndërkohë që problemi i mbetjeve është kthyer jo vetëm në problem mjedisor, por edhe në problem të thellë korrupsioni. Shumë kanë përfunduar në burg, dhe të tjerë do të shkojnë.
Bashkimi Evropian nuk mbështet afera korruptive që fshihen pas pretendimit të zhvillimit të turizmit, mjedisit dhe procesit të integrimit.