Shqipëria është tronditur nga tre ngjarje të rënda brenda pak orësh. Në Durrës djali vret babain, në Tiranë picieri vret kuzhinierin, dhe në Berat një 63-vjeçar vret një 42-vjeçar.
Në të tre ngjarjet, sipas informacioneve fillestare, shkak i krimit ka qenë konflikti banal.Lexo edhe :Related Posts
Durrës, djali vret babain
Në Durrës, 25-vjeçari Marian Kodheli vrau me thikë babain e tij, Pjetër Kodheli, pas një konflikti mes tyre.
Bëhet me dije se i riu sapo ishte kthyer nga emigrimi. Fqinjët deklaruan pas ngjarjes se i riu nuk ishte mirë mendërisht që pas humbjes së nënës.
“Rreth orës 13:00, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë me mjet prerës (thikë) babanë e tij, shtetasin P. K., 69 vjeç, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur”, njoftoi policia.
Tiranë, picieri vret kuzhinierin
Ndërkohë në Tiranë, një 42-vjeçar, Filip Shehi, i punësuar si picier në një restorant pranë Komunës së Parisit, ka goditur me thikë kolegun e tij 34-vjeçarin Indrit Ismaillari, i cili fillimisht u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar i krimit ka theksuar para policisë se e goditi pasi viktima e bullizonte shpesh.
“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat menjëherë pas ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njoftoi policia.
Berat, 63-vjeçari vret 42-vjeçarin
Ndërsa vijonin informacionet për dy vrasjet e ndodhura në Durrës dhe Tiranë, një tjetër lajm tronditës vjen nga Berati.
Pas një sherri banal mes tyre, një 63-vjeçar i identifikuar si Kristo Mema ka goditur me mjet prerës 42-vjeçarin Keli Hoxha, duke e lënë të vdekur.
“Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi policia./Taulant Halili/Vizionplus.tv/
