‘Askush nuk është mbi ligjin’, Dumani në Gjirokastër, ja mesazhi i fortë që dha për majat e pushtetit

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka marrë sot pjesë në takimin hyrës të projektit të BE-së për Edukimin dhe Qeverisjen Rajonale “EU4EduGovRegAL” në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, financuar nga BE.
Në takim, Dumani ka mbajtur fjalën e tij para studentëve, ku ka folur për arritjet e SPAK, vlerësimet në raportet ndërkombëtare për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për të përmirësuar rezultatin në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024 të Transparency International.
Gjatë fjalës së tij, Dumani foli edhe për reformën në drejtësi, ku u shpreh se qëllimi i saj është rritja e pavarësisë së sistemit nga ndikimi politik dhe çlirimi nga korrupsioni. Dumani theksoi se në 6 vite funksionim, SPAK ka arritur të tregojë se askush nuk është mbi ligjin, ku përmendi se janë ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-ministra, deputetë, gjyqtarë dhe prokurorë.
Ndër arritjet e rëndësishme të SPAK, ai përmendi goditjen e grupeve të organizuara kriminale. Në fund të fjalës së tij Dumani dha edhe një mesazh për studentët ku tha se puna, profesionalizmi dhe integriteti janë rruga e vetme drejt suksesit të qëndrueshëm. Ai theksoi se ata që vendosin të jenë të ndershëm dhe refuzojnë korrupsionin ndihmojnë në forcimin e drejtësisë dhe e bëjnë më të sigurt rrugën drejt BE-së.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar përfaqësues të Universitetit “Eqrem Çabej”,Të nderuar profesorë, studentë dhe të ftuar,
Është kënaqësi për mua të jem sot këtu me ju. Takimet me studentët na japin energji dhe na kthejnë pas në kohë, kur ëndrrat tona ishin më të mëdha se ne. Aktualisht, dua t’ju nxis që të përkushtoheni për t’i realizuar ato, në dobinë tuaj dhe në shërbim të vendit tonë.
Tema që na ka mbledhur sot është më shumë se një projekt; është një vizion për mënyrën se si duam të jetojmë dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë, të ndershme dhe të denjë për familjen europiane.
Reforma në drejtësi, e mbështetur dhe koordinuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese, ligjore dhe institucionale.
Qëllimi i kësaj reforme është rritja e pavarësisë të sistemit, veçanërisht nga ndikimi politik, dhe çlirimi i tij nga korrupsioni dhe paaftësia.
Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme, unë përfaqësoj një institucion, që të gjithë e njohin gjerësisht me akronimin e tij SPAK, i përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo strukturë ka në qendër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi përpjekur të ndërtojmë një model të bazuar në profesionalizëm, integritet dhe transparencë.
Në fillim në Prokurorinë e Posaçme, ishim vetëm tetë prokurorë që vinin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vitin e kaluar, numri i prokurorëve u plotësua dhe sot jemi 20 prokurorë të posacëm. Gjatë këtyre gjashtë viteve të para jemi përpjekur që vec punës sonë hetimore të ndihmojmë edhe ngritjen dhe konsolidimin e  institucionit.
Byroja Kombëtare e Hetimit – Pjesë e SPAK është një strukturë e posaçme, e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme. Deri tani ka 60 hetues që punojnë në këtë strukturë dhe ngushtësisht me prokurorët e posaçëm.
Gjithashtu kemi edhe sektorin e hetuesve financiare, me 12 hetues.
Veprimtaria e SPAK është vlerësuar në Progres Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024, për rezultatet në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, krimit të organizuar dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.
Roli i SPAK ka ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë rezultatin e saj me pesë pikë në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, të Transparency International.
Në vetëm gjashtë vite funksionim, SPAK ka arritur të zbatojë në praktikë parimin se askush nuk është mbi ligjin.
Janë ngritur akuza të rëndësishme ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-ministra, deputetë, gjyqtarë dhe prokurorë, duke treguar se drejtësia nuk është selektive, por e barabartë për të gjithë.
Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë goditja e grupeve të organizuara kriminale, përmes hetimeve të ndërlikuara financiare dhe ndërkombëtare, duke përdorur mjete bashkëkohore hetimi, përfshirë ndjekjen e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Përmes vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe sekuestrimeve të mëdha të aseteve, përfshirë edhe kriptovalutat, SPAK ka fituar besimin e publikut, një ndër elementët më të rëndësishëm të funksionimit të drejtësisë.
Unë besoj se çdo gjë nis nga mënyra individuale se si studiojmë, punojmë dhe sillemi në shoqëri.
Arsimimi europian nuk është thjesht marrja e njohurive të reja, por mbi të gjitha formimi qytetar, që na mëson të vlerësojmë respektin për ligjin, meritokracinë dhe transparencën.
SPAK është një shembull që tregon se ndryshimi është i mundur.Ky institucion është ndërtuar nga prokurorë dhe hetuesë shqiptarë, njerëz të këtij vendi, që kanë zgjedhur të punojnë me përkushtim, larg çdo ndikimi.
Ndaj, ky është modeli që ne duam të përcjellim te ju, që puna profesionalizmi dhe integriteti janë rruga e vetme drejt suksesit të qëndrueshëm.
Çdo student që zgjedh të jetë i ndershëm, çdo i ri që refuzon korrupsionin, çdo qytetar që kërkon llogari dhe angazhon përpjekjet e tij në këtë drejtim, është pjesë e një zinxhiri që forcon drejtësinë dhe e bën më të sigurt rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.