Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është treguar i gatshëm të bisedojë me Kryeministrin Edi Rama për ndryshimet në Kushtetutë.Nga selia blu, propozimin e kreut të qeverisë për uljen e numrit të deputetëve në parlament e cilësuan të arsyeshëm.
“Nuk kam asnjë kompleks, jam gati për bisedime pasi çdo ndryshim që vjen për të mirën e qytetarëve ka dhe mbështetjen time.”
Në konferencë me gazetarët, kryedemokrati iu rikthye seancës parlamentare të së hënës, ku e cilësoi të padrejtë procedurën e ndjekur gjatë raportimit të krerëve të institucioneve të drejtësisë.
“Kurse ata, të cilët shkelën Kushtetutën vetëm se kishin frikë nga pyetjet, nuk duronin dot pyetjet direkte se u dukeshin si shigjeta, i lëshuan në rënie të lirë. Nuk kisha parë ndonjëherë në eksperiencën time të gjatë 32-vjeçare një ditë ku përpjekja për të vërtetat triumfoi aq bukur. Dhe ku kompromisi i krimit midis mercenarit Duman dhe pengjeve të tij në narkomazhorancë prodhoi ato skena të papërsëritshme.”
Ndërkaq, Partia Demokratike ka depozituar edhe një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor në parlament lidhur me programin IPARD 2 në Bujqësi. Është një kërkesë e përsëritur nga ana e demokratëve për ngritjen e këtij komisioni, pas rrëzimit të nismës së tyre në Konferencën e kryetarëve.
/vizionplus.tv
