Ankimi i Veliajt në ‘Kushtetuese’ për shkarkimin nga detyra, ish-kryebashkiaku do të jetë i pranishëm në seancë

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, në datën 31 tetor 2025, ku do të jetë i pranishëm edhe vetë Erion Veliaj.
Sipas informacionit zyrtar të bërë publik nga institucioni, njoftimi është dërguar më 9 tetor 2025.
Gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve më 13 tetor 2025, duke kërkuar marrjen e masave për shoqërimin e Veliajt në seancë.
Më pas, në 20 tetor 2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit për pjesëmarrje, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me procedurat përkatëse.
Njoftimi:
Në përgjigje të interesit të shprehur nga mediat dhe në kuadër të transparencës dhe shpërndarjes së informacionit publik, më poshtë gjeni informacionin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2  të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin  e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër.
Faleminderit për bashkëpunimin tuaj!
Ankimi per shkarkimin
Kujtojmë që më 29 shtator, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nisi betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e shkarkimit të tij nga detyra.
Ai depozitoi ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rishikimin e vendimit që e largoi nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj argumenton se shkarkimi është i paarsyeshëm dhe se nuk ekziston asnjë shkelje e rëndë të provuar që të justifikojë masën ekstreme të largimit nga detyra.
Në kërkesën e tij, ai thekson se vendimi është marrë pa respektuar plotësisht të drejtat dhe procedurat ligjore, duke cenuar në mënyrë të padrejtë funksionimin e institucionit të Bashkisë. Në ankimin e Veliajt thuhet se Neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë Nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të pasi çdo vendim i marrë pa shkelje të provuar, sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.