“200 vjet Strauss” nga ansambli i Vjenës me një përzgjedhje të kryeveprave të dinastisë Strauss dhe të valsit vjenez  

Nga Julia Vrapi
Krijimtaria muzikore e Strauss-it këtë mbrëmje vjen me një koncert nga Ansambli Simfonik “Johann Strauss” i Vjenës. Koncerti “200 vjet Strauss ” zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të mirënjohur dhe çeljes së Javës Kulturore Austriake në vendin tonë. Ky ansambël legjendar është themeluar në vitin 1965 dhe ka mbi 1,150 koncerte ndërkombëtare. Por këtë mbrëmje Ansambli Simfonik “Johann Strauss”  i Vjenës i njohur për aktivitetin artistik vjen me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili prej ditësh ka ngjallur edhe interesin e publikut. Programi muzikor këtë mbrëmje në koncert është menduar si një rrëfim që zbulon rrënjët dhe anën më melankolike të krijimtarisë së Strauss-it, përmes perlave si “Wo die Zitronen blühn” dhe “Dorfschëalben aus Österreich” nga Josef Strauss, ndërsa në pjesën e dytë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se skena ndriçohet nga pjesët më të dashura, që e mbyllin koncertin me festë e gjallëri nga “Tritsch-Tratsch-Polka” deri tek “An der schönen blauen Donau”. “Një natë që e kthen Tiranën në një copëz Vjene të vogël, plot shkëlqim, finesë dhe muzikë të ndjerë”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë. Koncerti shënon 200-vjetorin e lindjes së Johann Strauss-it (Biri), por pritet të jetë edhe një nga mbrëmjet e veçanta këtë tetor në jetën artistike në Tiranë. Johann Strauss i Ri lindi më 25 tetor 1825 në Vjenë, Austri, dhe vdiq më 3 qershor 1899. Ai është një nga figurat më të ndritura të muzikës austriake dhe botërore, i njohur sidomos për kompozimin e valceve, polkave dhe operetave që e bëjnë atë një ndër emrat më të dashur të muzikës klasike të shekullit XIX. Johann Strauss i Ri kompozoi mbi 500 vepra, përfshirë valcerë të famshëm si: “An der schönen blauen Donau (Në Danubin e bukur blu, 1867)”, “Këngët e Danubit”, “Kiss me quick”, “Polka, marshe dhe galopa”. Ai po ashtu kompozoi opereta, si “Die Fledermaus” 1874, “Eine Nacht in Venedig” 1883, “Der Zigeunerbaron” 1885.
Koncerti në vijim të aktiviteteve
Aktivitetet e Javës Kulturore Austriake nisin sot për të vijuar deri më datë 31 tetor dhe do të zhvillohen në Tiranë, por dhe në Shkodër, ku pjesë e tyre këtë mbrëmje është edhe koncerti “200 vjet Strauss”, që vjen me një program të veçantë muzikor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti këtë mbrëmje do të zhvillohet si një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe Ambasadës Austriake. Koncerti këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është pjesë e programit artistik këtë muaj në këtë institucion, që vijoi me premiera, recitale dhe mbrëmje gala për publikun.