Është rikthyer risia e qeverisë shqiptare për emërime kosovarësh në drejtim të shtetit.
Kështu, Liburn Aliun do jetë drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës. Ishte numri dy i qeverisë shqiptare, njëherësh ministrja e Transportit dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila bëri prezantimin e tij në detyrën e re në Shqipëri.
“E kam njohur në punë, dhe njerëzit njihen në punë. E kam njohur vite më parë kur kemi qenë kolegë të dy qeverive. Ai drejtonte Ministrinë e Mjedisit (në Kosovë). Ky është Liburn Aliu, arkitekt në profesion por me një karrierë të gjatë politike në Kosovë”, është shprehur Balluku.
“Në fillim të muajit shtator unë bëra një bisedë dhe e pyeta nëse do kishte interes të kontribuonte për Shqipërinë, dhe si rrjedhojë padyshim dhe për Kosovën. E diskutuam dhe ma njohur direkt zemrën, sepse ju duk një propozim shumë interesant, i shkonte për shtat vendimit që ai kishte marrë për të jetuar në Tiranë.
Këtë propozim e çova te kryeministri dhe Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën, me pasion dhe dëshirë për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata meritojnë. Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptarë. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim”, vijoi Belinda Balluku.
Liburn Aliu është njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes dhe për shumë vjet një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit. Deri dy muaj më parë, ai ishte ministër në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, por dha dorëheqjen. /tesheshi.com/
