PD dhe PS bashkojnë votat, Kuvendi miraton ngritjen e komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, partitë…

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan dje votat në Parlament për të ngritur dy Komisione të Posaçme Parlamentare, një për Reformën Zgjedhore, dhe një tjetër për Reformën Territoriale. Në të dy komisionet, mazhoranca dhe opozita do të kenë numër të barabartë anëtarësh dhe do të bashkëdrejtohen nga dy kryetarë.  Deputetët votuan me 113 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim për Zgjedhoren ndërsa për Territorialen votuan 115 deputetë pro, 3 kundër dhe zero abstenime. Kundër ishin Agron Shehaj, Erald Kapri si dhe Redi Muçi. Mundësia, edhe pse tek zgjedhorja ka vende të garantuara, protestoi për këtë formulë. “Reforma Zgjedhore ka qëllim të vrasë partitë e reja, të vrasë alternativat në këtë vend, të vrasë demokracinë. Nuk e kuptoj se si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë dhe fshehurazi ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim, që pasi keni vjedhur bashkë për 35 vite të vazhdoni të vidhni së bashku”, tha Agron Shehaj. Ndërsa Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë tha se ata janë parti parlamentare dhe jo OJF. “Ku është tradita parlamentare, për të përjashtuar një parti që përfaqësohet në Kuvend. Dhe ai tha është me konsensus 99% dhe 1% që nuk është pjesë e konsensusit është lëvizja bashkë. Pyetja ime është, ku zboheni që përjashtoni nga e drejta e votës që parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend”, tha Muçi.
Reagon Balla
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla replikoi duke thënë se në Komision ka përfshirje të të gjitha partive. Shehajt i përmendi se në Kuvend shënjestron PD-në për dakordësinë me socialistët për Zgjedhoren, por harron se më herët është takuar me të për kandidatët për zgjedhjet e pjesshme. “Kemi marrë parasysh të gjithë traditë parlamentare. Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast, për herë të parë në historinë  komisioneve zgjedhore, janë përfshirë të gjitha partitë. Kemi bërë një zgjidhje për të përfshirë dhe ty duke futur dhe partie me 2 mandate. Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan. Kjo është pjesë e integritetit moral të çdo njeriu. ( i drejtohet Shehajt). Ne nuk bëjmë pazare, ajo që ka rëndësi për PS është që të ngihet komisionit zgjedhor, dhe të hidhen hapat, dhe duke  thënë sot që brenda 31 dhjetorit duhet të kemi gati draftin për ligjin për financimin e partive, duhet të ngremë një standard të ri të transparencës, për ti dhënë fund historive me miliona dollarë që paguhen për lobime. E rëndësishme është që të shkojmë përpara me depolitizimin e komisioneve. Zgjedhjet e fundit treguan që partie politike kanë humbur besimin t numërimi i votave me përfaqësues të partive. Është e pamundur që të bëhet një komision i posacëm me të gjitha partitë, je i mirëpritur në mbledhje dhe ke të gjitha të drejtat sipas asaj që kanë dhe deputetët e tjerë. Sot jemi përpara që kemi konsensus 99%”, tha dje Balla.
Reagon Berisha
Ndërkaq edhe Berisha bëri një koment për dakordësinë për Zgjedhoren. “Ne sot votuam ngritjen e këtyre komisioneve për dy arsye, së pari janë një seri e pafundme e OSBE që ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme. OSBE ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi si një farsë të shëmtuar zgjedhore zgjedhjet e 11 majit, në këtë kontekst ne ndihemi të detyruar ndaj tyre që rekomandimet e drejta ti kthejmë në ligj ndonëse deklarojmë që në mënyrë absolute me Edi Ramën shqiptarët s’do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Reforma territoriale ishte një antireformë në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Me Ramën nuk ka zgjedhje dhe është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u kthejë shqiptarëve votën, është përpjekje e opozitës ajo çfarë do i kthejë shqiptarëve votën”, tha dje Berisha. Votimi në Kuvend vjen pas dakordësisë së arritur mes të dyja palëve për barazi mes anëtarëve dhe bashkëkryetarët. Komisioni për Zgjedhoren do të përfshijë të gjitha partitë. 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime/propozime, por pa të drejtë vote. Territorialja do të ketë 8 anëtarë të PS-së, 6 të PD-së, 1 i Partisë së Lirisë dhe 1 i Fatmir Mediut.