Cirku Kombëtar në nëntor me shfaqjen premierë “Arti i Cirkut përballë Inteligjencës Artificiale”   

“Arti i Cirkut përballë Inteligjencës Artificiale” është premiera e radhës nga Cirku Kombëtar që vjen këtë sezon artistik. Shfaqja premierë do të jetë përgjatë nëntorit me artistët e Cirkut Kombëtar në vijim të aktivitetit artistik.
Premiera “Arti i Cirkut përballë Inteligjencës Artificiale” do të shfaqet në skenën e Teatrit të Kukullave, aty ku edhe më parë kanë dhënë shfaqje artistët e Cirkut Kombëtar në aktivitetin e tyre artistik. Shfaqja premierë ka si autore dhe koreografe Romina Kason. Cirku Kombëtar shprehet për një shfaqje, që eksploron sfidën më të madhe të kohës. “Në një botë ku teknologjia po ndryshon mënyrën se si krijojmë dhe përjetojmë artin, kjo shfaqje eksploron sfidën më të madhe të kohës: si mund të bashkëjetojë krijimtaria njerëzore me inteligjencën artificiale, pa humbur emocionin dhe shpirtin e saj unik”, thuhet nga Cirku Kombëtar në faqen e tij. Shfaqja e re Cirkut Kombëtar do të jetë në datat 1, 2, 8, 9, 15, 16, 22, 23 nëntor në  Teatrin e Kukullave në Tiranë në ora 17:00. “Ju mirëpresim të zbuloni magjinë e shfaqjes sonë më të re: “Arti i Cirkut përballë Inteligjencës Artificiale”.
Ky është Cirku Kombëtar- vendi ku dhurohet art, akrobaci, gëzim dhe hare, por edhe inovacion”, thuhet ndër të tjera nga Cirku Kombëtar. Shfaqja premierë që do të jetë përgjatë muajit nëntor në skenë është në vijim dhe të atyre më parë nga Cirku Kombëtar, ku herë pas here artistët e tij bëhen edhe pjesë e aktiviteteve të ndryshme, që janë zhvilluar në Tiranë apo dhe në qytete të tjera.