Projekti për parkun Bylis-Klos, plani i konservimit synon restaurimin e monumenteve në një perspektivë pesë vjeçare

Nga Julia Vrapi
Infrastruktura, konservimi i trashëgimisë apo edhe vijimi i hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike përfshihen në planin e ri të menaxhimit të parkut arkeologjik Bylis-Klos .Qytetet antike të Bylisit dhe Klosit përfaqësojnë një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të vendit, por që për shumë kohë kanë qenë të pazhvilluara dhe të rrezikuara për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe fondeve, ku këto ditë u mblodh dhe Komiteti Drejtues i projektit për parkun arkeologjik. Në qendër të takimit ishte jo vetëm plani i konservimit arkeologjik, por dhe Qendra Multifunksionale për Vizitorët. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporti Blendi Gonxhja shprehet se në mbledhjen e radhës të Komitetit Drejtues të projektit për Parkun Arkeologjik Bylis-Klos, me pjesëmarrjen e zv.ministres së MTKS, znj. Lira Pipa, Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, përfaqësuesve të Delegacionit Europian, AICS dhe IKTK, u diskutua mbi ecurinë e projektit dhe hapat e ardhshëm drejt përfundimit të tij. “Në qendër të takimit ishin dy komponentët kryesorë: -Qendra Multifunksionale për Vizitorët, që do të shërbejë si hapësirë moderne për interpretim, edukim dhe promovim të trashëgimisë së Bylisit dhe Klosit; -Plani i Konservimit Arkeologjik, që synon ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve të parkut në një perspektivë pesëvjeçare”, shprehet Gonxhja. Më tej ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet se ky projekt, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe qeveria italiane, përfaqëson një shembull të bashkëpunimit ndërkombëtar në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit kulturor në Shqipëri.
 Parku arkeologjik Bylis-Klos  
Parku arkeologjik Bylis-Klosi ka tashmë një plan të ri menaxhimi. Me vizion fillestar pesë vjeçar, plani është përgatitur nga AICS (Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Tiranë) me financim të BE-së në kuadër të projektit IPA 2018 (“BE për Zhvillimin ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik dhe vendor me fokus mbi trashëgiminë kulturore”), të nënshkruar mes Komisionit Europian dhe qeverisë. Siç është bërë me dije më herët, vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA), si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Kulturës. Qyteti antik i Klosit është ngritur mbi një pllajë kodrinore, 355 m mbi nivelin e detit dhe përfaqëson një nga qendrat urbane më të hershme të Ilirisë. Ndërsa parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në Shqipëri, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike.