Viktor Orban: Europa jashtë loje, do t’i kërkoj Trumpit të heqë sanksionet ndaj Rusisë!

Kryeministri hungarez Viktor Orban është sot në Romë dhe në Vatikan, për një takim me Papa Leonin XIV dhe një takim joformal me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Corriere Della Sera shkruan se takimi mes Melonit dhe Orbanit përfundoi pak pas orës 16:30. Një njoftim nga “Palazzo Chigi” bën të ditur se takimi “ka mundësuar fokusimin mbi perspektivat e marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështjet kryesore të aktualitetit ndërkombëtar, në veçanti mbi situatën në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe agjendën evropiane. Midis temave të trajtuara ishin edhe iniciativat për një menaxhim efektiv dhe inovativ të fluksit të migrantëve”.
Më parë kishte pasur një takim me Papën. Selia e Shenjtë raportoi pas takimit të Papëës dhe Sekretarit të Shtetit, Pietro Parolin, se gjatë takimit “u theksuan marrëdhëniet e forta bilaterale dhe vlerësimi për angazhimin e Kishës Katolike në promovimin e zhvillimit social dhe mirëqenies së komunitetit hungarez, me veçori mbi rolin e familjes, edukimin dhe të ardhmen e të rinjve, si dhe rëndësia e mbrojtjes së komuniteteve më të cenueshme të krishtera”. Por “një hapësirë e madhe iu kushtua edhe çështjeve evropiane, me veçori mbi konfliktin në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme”.
Sa i përket luftës në Ukrainë, pozicioni i Orban-it është i njohur: jo pa qëllim, gjatë Këshillit Evropian javën e kaluar, Hungaria nuk nënshkroi kërkesën për financimin e Ukrainës për dy vitet e ardhshme, duke lënë të hapur mundësinë e një huaje bazuar mbi pasuritë ruse të ngrira. Në atë rast, liderët evropianë miratuan paketën e 19-të të sanksioneve kundër Moskës, e cila për disa ditë ishte bllokuar nga vetoja e Sllovakisë.
Duke folur për gazetat La Repubblica dhe Il Messaggero gjatë vizitës së tij, Orban tha se, në përpjekjet për të përfunduar luftën në Ukrainë, “Bashkimi Evropian nuk vlen asgjë. Ne ia kemi lënë amerikanëve dhe rusëve mundësinë për të zgjidhur luftën. Fatkeqësisht, ne nuk kemi rol. Europa është totalisht jashtë lojës”.
Duke komentuar sanksionet e SHBA-ve ndaj dy kompanive të naftës Rosneft dhe Lukoil, Orban tha se “Trump gabon për Putinin, do shkojë tek ai për t’i hequr sanksionet Rusisë. Së shpejti do jem tek Trump për të zgjidhur problemin e sanksioneve ndaj naftës”, sepse “Hungaria varet shumë nga nafta dhe gazi rus. Pa ta, çmimet e energjisë do të shkojnë në qiell, duke shkaktuar mungesa në rezervat tona”.
Për fjalët e kryeministrit hungarez, reagoi ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani: “Kemi ide të ndryshme, por flasim me të gjithë”.
Ministri hungarez i Jashtëm konfirmoi se Orban do të shkojë tek Trump javën e ardhshme. Ambasadori i SHBA-ve pranë NATO-s, Matthew Whitaker, deklaroi gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara presin që vende si Hungaria “të zhvillojnë dhe zbatojnë një plan” për t’u “çliruar” nga burimet energjetike ruse.
Për takimin me Meloni-n, kryeministri hungarez tha se “pika e rëndësishme është e ardhmja e ekonomisë evropiane, sepse për luftën ka shumë pak për të bërë.”
Pozicioni i kryeministres Meloni, e cila gjithashtu ka shfaqur rezerva mbi përdorimin e pasurive ruse të ngrira si garanci për fonde qenë Kievin, ka gjithmonë mbështetje e qartë dhe e vendosur për Ukrainën në betejën e saj kundër pushtimit rus, që nisi më 24 shkurt 2022.