Agron Shehaj: Në tre vite, Dumani ka bërë më shumë se drejtësia në 35 vite

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në seancën e sotme plenare, 27 tetor, vlerësoi rezultatet e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Shehaj tha se arritjet e Dumanit në 3 vitet e fundit tejkalojnë punën e gjithë drejtësisë shqiptare gjatë 35 viteve.
“Dumani na qenka fajtori dhe këtu nuk i bëjmë një gjyq. Një pjesë e Kuvendit hesht se ia merr urdhrin politik dhe pjesa tjetër mendon se fatkeqësia e këtij vendi është Dumani. Do kishim dashur që kryeministri më i korruptuar që ka pasur Shqipëria të dilte para drejtësisë. Në 3 vitet e fundit, Dumani ka bërë më shumë se çfarë drejtësia ka bërë në 35 vitet e fundit”, tha Shehaj.
Ai shtoi se kritikat ndaj Dumanit duhet të bëhen me masë, duke theksuar se shumë shqiptarë e perceptojnë punën e kreut të SPAK si një goditje ndaj korrupsionit dhe abuzimeve.
 “Kur ka ndodhur që numri 2 i kryeministrit të shkojë në burg? Duket sikur po bëjmë një parodi. Kush e sheh nga jashtë dhe dëgjon, thotë këta janë çmendur. Pse Dumani qenka problemi i këtij vendi? Dumani po i vjedh shqiptarët? Dumani po vjedh popullin më të varfër në Europë? Kjo është qesharake! ”, u shpreh Shehaj.