Dumani: Çështja e përvetësimit të pronave është alarmante, SPAK dhe institucionet duhet të reagojnë

I pyetur nga deputeti i “Mundësia”, Agron Shehaj, nëse kishte edhe zyrtarë të përfshirë apo njerëz të drejtësisë, ai tha:
“Në këto vite, nga ana e SPAK janë 6 prokurorë, 10 gjyqtarë dhe 11 oficerë gjyqësorë që janë dërguar, gjykuar, hetuar dhe lidhen me rastin e korrupsionit pasiv për këtë vepër”.
Por Dumani nënvizoi se çështja e pronave është alarmante dhe që duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet e shtetit e jo vetëm SPAK. Ai përmendi edhe disa raste konkrete në fjalën e tij.
“Çështja e pronave është në fokusin e SPAK, është problematike, e komplikuar. Kemi rastin e Lezhës, ku mijëra metra katrorë tokë u provua se ishin përvetësuar nëpërmjet falsifikimit dhe u arrit që kjo sipërfaqe t’i kalojë shtetit me vendim gjykate. Një tjetër çështje që duhet të na alarmojë të gjithë, edhe pse është nën hetim paraprake, për një zonë me mijëra metra katrorë tokë, zonë e preferuar. Falsifikim masiv të mijëra metra katrorë tokë të Durrësit, çështje që është nën hetim, e vetëm me atë procedim penal, nuk mund ta parashikoj se si do shkojë procedimi penal, por SPAK ka sekuestruar rreth 600 mijë metra katrorë tokë, nëpërmjet skemave të organizuara të falsifikimit të dokumenteve. Tjetër, e njëjta situatë, kemi evidentuar raste në Vlorë dhe në qytete të tjera, ku edhe vlera e pronës vitet e fundit është rritur. Është në fokusin e SPAK”, tha kreu i SPAK-ut.
Ai apeloi që të gjitha institucionet shtetërore të vepronin në çështjen e goditjes së abuzimeve me pronat shtetërore, pasi organi i akuzës kishte vetëm procedimin penal. Dumani e cilësoi një kambanë alarmi dhe një fenomen që duhet të merrte fund njëherë e mirë.
“Kjo është kambanë alarmi jo vetëm për SPAK, sepse SPAK ka ndjekjen penale, por për të gjitha institucionet duhet të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar abuzimin me pronën një herë e mirë, nëpërmjet falsifikimeve, që të marri njëherë e mirë fund abuzimi i pronës shtetërore”, tha ai.