“Pse SPAK nuk prek Edi Ramën?” Altin Dumani i përgjigjet pyetjes së opozitës: S’ka të paprekshëm!

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, iu është përgjigjur ditën e sotme (27 tetor)  pyetjeve të deputetëve lidhur me aktivitetin dhe punën e bërë nga institucioni që ai drejton.
Dumani, i pyetur nga deputeti Luciano Boçi, tha se për SPAK nuk ka të paprekshëm, teksa theksoi se nuk kanë rëndësi emrat, por veprat penale që rëndojnë mbi ta.Lexo edhe :Related Posts
Kreu i SPAK nënvizoi edhe një herë se në zgjedhjet e 11 Majit kanë qenë në terren dhe se po kryhen hetime në disa zona.
Sipas Dumanit, lufta kundër krimit të organizuar është një prej gjërave për të cilat SPAK duhet të ndihet krenar, duke vlerësuar bashkëpunimet me vendet e tjera dhe agjencitë partnere.
Altin Dumani u shpreh se kanë nisur hetime për pastrim parash, për ndërtim dhe për turizëm. Ai shtoi se, sa i përket kriptomonedhave, kanë pasur një hetim në vitin 2024, ku është sekuestruar një shumë prej 11 milionë eurosh.
Pjesë nga pyetje-përgjigjet:

Pyetja: Pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën?
Dumani: Për Prokurorinë e Posaçme nuk ka të paprekshëm. Për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por veprat penale.
Pyetja: A keni dëgjuar ultimatumin e Ramës para zgjedhjeve të 11 majit që SPAK të mos guxojë të dalë në terren? Nëse nuk ishit në terren për të gjetur provat, kur do t’i gjeni?
Dumani: SPAK ka qenë në terren, edhe në zonën që ju keni drejtuar, z. Boçi. Ju e dini sa e vëmendshme ka qenë Prokuroria e Posaçme. Madje ju jeni ftuar të jepni disa të dhëna lidhur me një rast të publikuar në media. SPAK ka qenë në të gjitha rrethet pothuajse. Edhe në zonën që ju keni mbuluar, po kryen hetime.
Lufta kundër krimit të organizuar është një nga gjërat për të cilat SPAK duhet të ndihet krenar. Kemi bashkëpunuar me vendet në rajon, me BE-në, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi një vit e gjysmë me vendet latine, është arritje. Vazhdojmë të bashkëpunojmë me agjencitë partnere. Ky besim na është dhënë sepse e kemi merituar, kemi treguar sa profesionistë jemi. Ajo që duhet vlerësuar maksimalisht është ky bashkëpunim me agjencitë.
Pyetja: Sa raste keni ndërmarrë për pastrim parash në ndërtim, lojërat e fatit? Po për kriptomonedhat, keni nisur hetimet?
Dumani: Kemi nisur hetime për pastrim parash edhe për ndërtim, edhe për turizëm. Të paktën 4 hotele janë konfiskuar tashmë. Kemi pjesë të portofolit të aseteve të sekuestruara, vila, apartamente etj. Sa i përket kriptomonedhave, po, kemi pasur hetim në vitin 2024. Është një shumë prej 11 milionë eurosh në kriptomonedha që është sekuestruar.
/vizionplus.tv