Turizmi i qëndrueshëm do të jetë në qendër të vëmendjes së Vlerësimit për Sipërmarrjet e Qëndrueshme 2025, një nismë kombëtare që synon të promovojë bizneset që kontribuojnë ndjeshëm në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Në një periudhë ku konsumatorët dhe tregjet po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi ndikimit mjedisor e social të bizneseve, ky vlerësim synon të nxjerrë në pah sipërmarrjet që e shohin rritjen ekonomike të pandarë nga mbrojtja e mjedisit, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e komuniteteve lokale.Shqipëria ka përjetuar një bum të turizmit gjatë viteve të fundit, duke u kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara në rajon. Rritja e vizitorëve ka sjellë zhvillim të shpejtë ekonomik dhe hapësira të reja të punësimit në sektorë të ndryshëm të lidhur me turizmin. Sfida qëndron në sigurimin që kjo rritje të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme, duke sjellë përfitime afatgjata për natyrën, shoqërinë dhe ekonominë.Kush mund të aplikojë?Thirrja është e hapur për sipërmarrjet që operojnë në Shqipëri dhe që kanë turizmin si aktivitet kryesor, përfshirë hotele, bujtina, operatorë turistikë, struktura agroturistike, agjenci udhëtimi dhe aktivitete të lidhura me kulturën dhe natyrën. Aplikantët duhet të demonstrojnë qartë se si puna e tyre kontribuon në një ose disa nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe si praktikat e tyre kanë sjellë ndikime të matshme.Pse ia vlen të jesh pjesë e vlerësimit?Bizneset fituese do të përfitojnë njohje kombëtare si liderë të qëndrueshmërisë, vizibilitet të lartë në aktivitete me pjesëmarrjen e qeverisë dhe partnerëve të zhvillimit, si edhe mundësi për të prezantuar arritjet për audienca të gjera, në vend dhe jashtë tij. Për më tepër, suksesi i tyre do të shërbejë si model frymëzimi për sipërmarrës të tjerë, duke forcuar edhe avantazhin e tyre konkurrues në treg.SDG-të dhe biznesi: një lidhje e domosdoshmeObjektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së përfaqësojnë një plan global për zgjidhjen e sfidave më urgjente të njerëzimit deri në vitin 2030. Për bizneset, ato janë një busull që i ndihmon të orientojnë strategjinë drejt qëndrueshmërisë, të komunikojnë me besueshmëri ndikimin e tyre dhe të ndërtojnë partneritete që sjellin inovacion dhe fitim afatgjatë.Të gjithë të interesuarit mund të informohen më shumë dhe të aplikojnë përmes faqes zyrtare:Vlerësimi për Sipërmarrjet e Qëndrueshme 2025Vlerësimi për Sipërmarrjet e Qëndrueshme organizohet në kuadër të Projektit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Bashkëpunimi me Sipërmarrjen dhe Zgjidhjet për SDG-të”. Projekti financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatohet nga UNDP, FAO, ILO dhe UNIDO në Shqipëri.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Në fokus turizmi i qëndrueshëm: Nis vlerësimi për sipërmarrjet e qëndrueshme 2025
