Dumani: Gjatë vitit 2024 kemi sekuestruar 65 milionë euro asete të krimit, jemi vlerësuar nga DASH në luftën kundër korrupsionit

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar mbrëmjen e së hënës para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, mbi arritjet dhe problematikat e institucionit që ai drejton.
Në fjalën e tij, Dumani tha se SPAK ka pasur disa arritje mjaft të rëndësishme gjatë vitit të shkuar, duke marrë vlerësime ndërkombëtare si nga Komisioni Europian, ashtu edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Veprimtaria e SPAK është vlerësuar nga progres-raporti europian për luftën ndaj korrupsionit të nivelit të lartë. DASH ka nënvizuar disa nga hetimet e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sa i përket zbatimit të raporteve të BE-së, po ndalemi te secili prej tyre. Gjatë vitit 2024 SPAK rriti numrin e prokurorëve në 20, rritja e trajnimeve solli rritjen e çështjeve në hetim. Numri i procedimeve të reja shënoi ulje me 15%”, tha Dumani.

Më tej, kreu i SPAK tha se vitin e shkuar janë sekuestruar 65 milionë euro asete kriminale si pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe kriptovaluta.
“65 milionë euro asete kriminale të sekuestruara: pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe kriptovaluta”, theksoi Dumani.