“SPAK është pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi”, Balla: Nuk ndërhyjmë në vendimet e drejtësisë

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se Prokuroria e Posaçme është pjesa më e rëndësishme e reformës në drejtësi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla nënvizoi se Partia Socialiste nuk ndërhyn në vendimet që merr drejtësia.
Sa i përket zbatimit të hapësirave publike, kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se kushdo gjyqtar që nuk zbaton interesin publik, nuk i shërben drejtësisë.
Balla: SPAK është pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi. Ne si PS askund dhe për asnjë rast nuk kemi hyrë në meritat e një çështjeje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vet deri në fund. Unë jam kallëzues i një dosjeje penale. Prej ditës kur kam depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme, nuk kam folur dhe as nuk do të flas derisa drejtësia të japë fjalën e saj. Nuk keni për të dëgjuar askënd këtu të bëjë avokatin e kujtdo në njerëzit e kësaj familjeje kur ndëshkohet nga drejtësia, edhe kur nuk na duket e drejtë, ashtu edhe siç ka ndodhur.
Përmes reformës kemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit, shumicës, nga çdo proces. Ia kemi lënë pra sistemit të ri të drejtësisë, përmes organeve të parashikuara në strukturën e reformës në drejtësi, jashtë vullnetit të partive politike. Harrojini historitë me kontrolle, me urdhra nga lart apo presion rreth e rrotull. Kjo që ka ndodhur me institucionet e drejtësisë është një ndryshim epokal që nga viti 1912.
Lidhur me rastin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që, në zgjedhjen mes interesit publik dhe ndonjë zgjedhjeje tjetër, kanë bërë hash interesin publik e kanë zgjedhur alternativën tjetër. Drejtësia të nisë nga interesi publik. Zbatimi i hapësirave publike në dëm të interesit publik është i papranueshëm. Kushdo gjyqtar që nuk zbaton interesin publik në zbatimin e hapësirave, nuk mendoj se i shërben drejtësisë. Rruga e pavarësimit të drejtësisë nuk ka rrugë mbrapa. Asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë nuk ka për të ndodhur asnjëherë vetëm me votat tona, por do të marrë në çdo rast dritën jeshile nga Komisioni Evropian. 
/vizionplus.tv