Skandal urban në Tiranë/ Florjan Binaj zbulon “lulishten” e fshehur nën inerte

Kandidati i pavarur, Florjan Binaj, ka zbuluar një “lulishte” me inerte në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një shesh me inerte në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ndotja duket alarmante.
Me ironi, Binaj thotë se në këtë “lulishte” të mbushin me frymë lule betoni, lule bukëpeshku apo lule dërrase.
Binaj e vazhdon më tej ironinë e tij ndaj këtij pirgu intertesh dhe thotë se kjo është “lulishtja” e parë në botë që është duplex dhe u jep hapësira të lira të gjithëve.
“Prej më shumë se dy javësh kjo lulishte e sapoinauguruar u ka dhënë ajër të pastër jo vetëm banorëve të rrugës ‘Xhanfize Keko’, por dhe gjithë banorëve të Tiranës. Siç mund ta shihni, këtu të mbush me frymë lule bukëpeshku, lule llamarine, lule dërrase, lule betoni, lule leshi xhami, lule leshi guri. Me një dizajn shumë elegant, nga dyshja e famshme e arkitektëve italianë, Xhorxho Lafasulja dhe Xhuljano Lagrumi. Ju mund ta shihni që është lulishtja e parë në botë që është duplex dhe se si shkrihet ajo kaq bukur me trotuarin duke u dhënë mundësi hapësirave të lira për të gjitha nënat me fëmijë të vegjël dhe sidomos për moshën e tretë. Kjo lulishte është aq e bukur sa mund ta shijoni edhe nga lart”, shprehet Binaj.