Pas kërkesës së kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla për 15 minuta pushim, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ndërpreu seancën plenare.
Disa nga deputetët, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, zgjodhën që të dilnin jashtë ambienteve të Parlamentit dhe të flisnin për mediat.
Kreu i opozitës, Berisha, deklaroi se Nesti Angoni, personi që denoncoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili është arrestuar që më 10 shkurt, në fakt ndodhet brenda Parlamentit.
Sipas Berishës ai është deputeti socialist Toni Gogu.
Berisha: I thashë unë, dil e betohu në Kushtetutë, por nuk del dot Nesti Angoni. Se tani thonë që ky Gogu është Nesti Angoni, ia hoqën Belindës…
Berisha gjithashtu komentoi edhe refuzimin e Partisë Socialiste për t’i drejtuar pyetje krerëve të institucioneve të drejtësisë, të cilët do të raportojnë sot në Kuvend.
Balla i dha opozitës dy mundësi, ose të pranojë faktin që pyetjet Altin Dumanit dhe krerëve të tjerë të institucioneve të drejtësisë t’i paraqiten me shkrim, ose në të kundërt do të vijojnë me procesin e votimit. Berisha u shpreh se kjo është e papranueshme dhe se socialistëve “nuk iu leverdis” raportimi i tyre. Berisha theksoi se vitet e kaluara është vendosur në zbatim praktika pyetje përgjigje me gojë.
Berisha: Për pyetjet ka disa praktika. Në shumë raste, pyetje nuk bëhen fare. Deputetët, opozita e gjykon të mos bëhen pyetje dhe ka ndodhur jo një, por në mënyrë të përsëritur. Pyetjet me shkrim mendoj se janë një normë për t’i dhënë mundësi të pyeturit që të përgatitet. Kjo është normale. Por kjo nuk përjashton as të drejtën e pyetjes me gojë pas dëgjimit të raportit, as të drejtën e leximit të pyetjes që i ka bërë me shkrim. Këta janë në frikë dhe tmerr.Problemi është se duhet të dëgjojnë shqiptarët çfarë pyetjesh janë bërë. Se pastaj lexo një pyetje po, lexo një pyetje jo, lexo një gjysmë pyetje, nuk jemi në pozita miqësore aty. Jo, ajo është një palë kundërshtare, e cila është marrë me luftë të egër kundër pluralizmit politik./vizionplus.tv
