Auron Tare: Turp për autoritetet tona, që lejojnë të tilla pamje me plehra në hyrje të parkut të Butrintit 

Parku kombëtar i Butrintit një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, por studiuesi Auron Tare që ka publikuar pamje me plehra në hyrje të parkut thotë se është një turp për autoritetet tona.
Studiuesi Auron Tare herë pas here në reagimet e tij ka folur për problemet në Butrint, por këtë herë përmes një video në rrjetin social Facebook tregon çfarë ndodh në hyrje të parkut dhe sjell në vëmendje se janë pamje, të cilat i shohin vizitorët çdo ditë. “Kjo është hyrja e Parkut Kombëtar të Butrintit më 8 shtator 2025. Pamjet flasin vetë. Qyteza e Ksamilit hedh plehrat përditë në hyrje të Parkut ndërkohë administrata  “Amerikane” e Parkut ngre supet. Nuk do ta publikoja këtë pamje të turpshme për një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore nëse nuk do ti shikoja kazanët e plehrave edhe sot të pa lëvizur mbushur me mbeturina. E para është turp për autoritetet tona që lejojnë të tilla pamje në hyrje të Parkut të Butrintit.
E dyta imagjinoni se çfarë shikojnë vizitorët që hynë në park çdo ditë”, shprehej studiuesi Auron Tare në reagimin e tij të shtunën në Facebook. Studiuesi Auron Tare edhe më parë ka folur për problemet sipas tij në menaxhimin e ri të parkut, duke pohuar se shteti shqiptar nuk e kontrollon dot më Butrintin. Për problemet në parkun kombëtar të Butrintit kanë reaguar herë pas here edhe specialistë të tjerë të trashëgimisë sonë kulturore, ku kritikat nuk kanë munguar edhe në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Butrinti u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1992, Butrinti u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.