Me përfundimin e afateve ligjore, tashmë ka nisur zyrtarisht beteja për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
Gara për këto lokale të pesë bashkive do të jetë mes zëvendëskryetarësh, ish-deputetësh e kandidatësh të profileve të ndryshme, të cilët më herët nuk kanë qenë pjesë e politikës.
Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, qytetarët e bashkisë së Vlorës do të jenë mes dy zgjedhjeve. Brunilda Mersini këtë të hënë la mandatin e deputetes për t’u futur në garë e kandiduar nga Partia Socialiste. Nga ana tjetër, rivali i saj do të jetë kandidati i pavarur Dionis Sota, i cili ka mbështetjen e opozitës dhe vjen nga sipërmarrja turistike.
Bashkia e Beratit gjithashtu do të ketë dy kandidatë. Në radhët e socialistëve është nënkryetari aktual Ervin Ceca, i cili do të garojë përballë biznesmenit Pavlo Shkarpa, i cili garon si i pavarur dhe mbështetet nga opozita.
Në Tepelenë, mazhoranca i ka besuar ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, ndërsa mbështetjen e opozitës e ka Gabriel Guma.
Ndryshe nga Vlora, Berati dhe Tepelena, Mati dhe Cërriku do të kenë tre kandidatë. Florenc Doka i PS-së, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut, garon përballë dy emrave nga opozita. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD-ja, ndërsa Eligert Hima, i kthyer nga Italia, garon nën logon e “Shqipëria Bëhet”.
Në Mat, demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte Forumin e Gruas Socialiste në Mat, kandidon si e pavarur.
/vizionplus.tv
