Seanca e sotme plenare nisi me debate dhe “mollë sherri” u bë ngritja e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi mazhorancën dhe opozitën se po bashkëpunojnë për të përjashtuar partitë e reja dhe për të ruajtur pushtetin e tyre, duke e quajtur komisionin një mjet për të “vrarë demokracinë”.
Kreu i Grupit Parlametar të PS-së, Taulant Balla tha se komisioni është ngritur sipas traditës parlamentare dhe se për herë të parë janë përfshirë të gjitha partitë, përfshirë edhe ato me dy mandate.
Ai theksoi se brenda fundit të vitit do të jetë gati drafti për ligjin e financimit të partive, me synim rritjen e transparencës dhe fundin e praktikave të vjetra të financimit politik.
Pjesë nga debati:
Shehaj: Komisioni për reformën zgjedhore ka një qëllim të vetëm, të vrasë partitë e reja. Të vrasë alternativat në këtë vend, të vrasë demokracinë. Unë nuk e kuptoj zoti kryetar se si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë dhe fshehurazi ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Është e qartë keni vetëm një qëllim, që pasi keni vjedhur së bashku për 35 vite të vazhdoni të vidhni së bashku, kjo po ndodh dhe këtë do bëni dhe ky do të jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm, Vazhdoni, vazhdoni bini dakord bashkë për të vjedhur bashkë dhe me këtë komision këtë do bëni.
Balla: Së pari dua t’i falenderoj dy kolegët nga mazhoranca dhe opozita që kanë bërë të mundur negocimin e këtij teksti përfundimtar të këtij projektvendimi i cili u mor, do të sqaroj dhe ty, ndoshta nuk e ke lexuar por je pjesë e këtij komisioni
Shehaj: Pazari…
Balla: Kemi marrë parasysh të gjithë traditën parlamentare, është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast për herë të parë në historinë e komisioneve të posaçme të reformës zgjedhore janë përfshirë të gjitha partitë, ti nuk di të lexosh, lexoje, gënjeve publikun kur the nuk je. Kemi bërë një zgjedhje për të të përfshirë dhe ty duke futur edhe partitë me dy mandate.
Ditën takohesh me këta për të nxjerrë kandidat dhe vjen këtu edhe i shan. Edhe u merr kandidatin edhe u fut kandidatin dhe vjen dhe thua qenkan bashkë me ty. Ne nuk bëjmë Pazar me askënd. Ajo që ka rëndësi është të ngrihet komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore. Brenda 31 dhjetorit do të kemi draftin për ligjin e financimit të partive, do ti japim fund mënyrës si financohen partitë në këtë vend.
Shehaj: Shiko Taulant ti je mësuar duke i bërë shqiptarët për budallenj, kjo s’ka dyshim. Por është e qartë se. Ky komision ka vetëm një qëllim të zhdukë partitë e reja, ky është qëllimi dhe këto lojërat e tua që bëheni bashkë dhe pa përfshirë askënd na dilni me listën ku na fusni dhe ne brenda nuk na bëjnë pis Taulant. Ajo që më çudit është si s’të vjen turp, flet ti për financimin e partive politike, si i financoni ju, ku i gjeni miliona eurot që financon. Taulant ku i gjen miliona euro…/vizionplus.tv
