Berisha tregon pse votuan për ngritjen e komisioneve: Për dy arsye themelore! Me Ramën s’ka zgjedhje të lira

Gjatë seancës plenare të kësaj të hënë, mazhoranca dhe opozita miratuan me 113 vota pro projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe me 115 vota pro projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Për ngritjen e këtyre dy komisioneve votuan kundër 3 deputetë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shpjegoi në Kuvend arsyet pse votuan pro ngritjes së Komisioneve.

Së pari për të respektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe së dyti, sepse sipas tij, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.
Berisha: Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore. Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.
OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit. Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.
Kjo është e vërteta. Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.
Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi. Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë. Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën. Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën.