Në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Social Shtetëror dhe në funksion të përdorimit social të pasurive të konfiskuara, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka vijuar shpërndarjen e ndihmave materiale për institucione të kujdesit social në vend.Katër qendra – “Qendra e Dhunës Kamëz”, “Tjetër Vizion” në Elbasan, “Qendra Vatra” në Vlorë dhe “Shtëpia e Fëmijës Shkodër” – janë mbështetur me veshje, pajisje elektronike, produkte kozmetike dhe materiale të tjera të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të kujdesit ndaj grave, fëmijëve dhe të rinjve në nevojë.Kjo nismë është pjesë e politikës së përdorimit social të pasurive të konfiskuara, në përputhje me praktikat europiane që synojnë kthimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit.Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja u shpreh se përdorimi social e kthen pasurinë e konfiskuar në vlerë për shoqërinë.“Ky është një prej momenteve ku drejtësia dhe solidariteti takohen në praktikë. Pasuritë e konfiskuara, më parë simbol i paligjshmërisë, po kthehen sot në mjet mbështetjeje për njerëzit në nevojë. Ky është thelbi i përdorimit social – kthimi i pasurisë së paligjshme në shërbim publik dhe në vlerë për komunitetin,” u shpreh znj. Xhaja.Ndërsa Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Reme Xholi theksoi se modeli i bashkëpunimit me AAPSK po përkthehet çdo ditë e më shumë në ndihmë konkrete për qytetarët.“Ky bashkëpunim me AAPSK-në është një shembull i qartë se si institucionet mund të bashkojnë burimet dhe misionin për t’u ardhur realisht në ndihmë kategorive vulnerabël. Materialet e dhuruara do të ndihmojnë drejtpërdrejt qendrat tona sociale në ofrimin e shërbimeve më dinjitoze për gratë, fëmijët dhe të rinjtë në nevojë,” – deklaroi znj. Xholi.Në vijim, AAPSK ka paralajmëruar se do të zgjerojë bashkëpunimin me rrjetin e qendrave sociale nëpërmjet projekteve të përbashkëta me partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë, me synimin që çdo pasuri e konfiskuar të kthehet në një aset për shoqërinë. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
AAPSK mbështet qendrat sociale në Kamëz, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër me materiale të konfiskuara
