Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ra sërish në T3, në nivelin më të ulët prej 2023

Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm publik pësoi rënie për të tretin tremujor radhazi gjatë periudhës korrik-shtator.Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm ra në 4.27%, nga 4.3% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe nga 4.56% që kishte qenë në fund të vitit 2024.Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.39%, nga 4.43% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët të tre viteve të fundit.Yield-et e bonove dhe obligacioneve në përgjithësi kanë shfaqur një tendencë të qartë rënëse deri në mesin e këtij viti, duke ndjekur uljet e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe falë gjendjes së mirë të likuiditetit në treg dhe kërkesës së lartë nga investitorët.Përmirësimi i vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara vitin e kaluar ka ndikuar në hyrjen për herë të parë në tregun e titujve të qeverisë në Lekë edhe të investitorëve nga jashtë vendit. Në muajin mars të këtij viti, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme.Ndërkohë, gjatë tremujorit të tretë, tendenca e yield-eve në emetimet e reja ka qenë e përzier. Në segmentin e bonove të thesarit, rënia e yield-eve ka vazhduar dhe ato kanë zbritur në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit.Ndërkohë, në segmentin e obligacioneve, yield-et kanë pësuar një korrektim në rritje, pasi kishin prekur minimumet historike për shumicën e instrumenteve afatgjata, në tremujorin e dytë të vitit.Gjithashtu, tendenca e rritjes së maturitetit mesatar të borxhit u frenua në tremujorin e tretë.Në fund të muajit shtator, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm zbriti në 1028 ditë, nga 1045 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2024. Megjithatë, maturiteti mesatar ngelet në rritje të ndjeshme në raport me kohëzgjatjen prej 923 ditësh të fundit të vitit të kaluar.Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund të shtatorit arriti në afërsisht 800 miliardë lekë, me një rritje të vlerës nominale prej 3.3% që nga fillimi i këtij viti.Në terma realë, borxhi i brendshëm publik vlerësohej sa 30.85% e PBB-së, në rënie nga niveli prej 31.31% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.Borxhi publik total në fund të 9-mujorit 2025 vlerësohet nga Ministria e Financave sa 53.45% e PBB-së, nga 54.21% në fund të vitit 2024./ E.ShehuBurimi: Ministria e Financave Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.