Pas më shumë se tre dekadash dominim nga një klasë politike që ka mbajtur peng zhvillimin e vendit, avokati Spartak Ngjela paralajmëron fundin e “binomit të errët Rama–Berisha”. Ngjela flet për një moment historik çlirimi politik, për rritjen e ndikimit të aleancës shqiptaro–amerikane dhe për një epokë të re ku Shqipëria dhe Kosova po afrohen drejt bashkimit në kuptimin politik e strategjik. Avokati e cilëson largimin e Sali Berishës nga pushteti politik si një fitore historike, duke e parë atë si fillimin e një epoke të re për kombin shqiptar. “Largimi i Saliut nga pushteti politik është një sukses i madh historik. Tani kuptohet që Shqipëria është duke ecur drejt zhvillimit dhe jo më, drejt pushtuesve të territoreve të etnisë shqiptare. Dhe kjo sigurisht që është një fitore historike e pritur në shekuj. Dy shtete shqiptare siç janë sot në Gadishullin Ilirik, kurrë nuk kanë qenë të mundura nga banditizmi pushtues i Serbisë. Dhe forca e Arbërisë do to vijojë, sepse ajo sigurisht që është një rrugë historike e pakthyeshme. Një popull që në 500 vite pushtim barbar nuk e ka humbur gjuhën e tij historiko-etnike, nuk mund të pengohet më në asnjë çast drejt zhvillimit të tij të vijueshëm në një shtet të pavarur. Ja, kjo është historia jonë e shqiptarisë me dy shtete të Arbërisë historike sot. Dhe kjo do të vijojë edhe për dy shtetet shqiptare të tjerë që ende nuk i janë bashkuar Arbërisë klasike. Sepse jashtë Arbërisë klasike sot janë ende Çamëria dhe Maqedonia e Veriut. Prisni të shikoni histironë në zhvillim të Arbërisë Etnike, e cila po vjen me një siguri historike brenda aleancës shqiptaro – amerikane. Dhe pyetja që po ngrihet sot nga historianët e kualifikuar në rang botëror, është kjo: Cila është ajo forcë që i ka shpëtuar shqiptarët nga një rrezik dymijëvjeçar? Tani shkenca e ka theksuar se: Shqiptarët i ka shpëtuar, i ka garantuar dhe i ka zhvilluar drejtpërsëdrejti heroizmi i tyre shekullor, aftësia mendore e prijësve të tyre, dhe Gjuha Shqipe”, shprehet avokati.
Ndërhyrja e SHBA
Në një tjetër reagim, Ngjela argumenton se lufta njëqindvjeçare kundër shqiptarëve ka marrë fund, dhe se forcat që e kanë penguar zhvillimin e vendit janë tashmë të paralizuara. Ai shigjeton drejtpërdrejt edhe kryeministrin Rama, duke e akuzuar se ka luhatur politikisht midis interesave sllave dhe atyre perëndimore. Sipas tij ndërhyrja e SHBA e ka vendosur në rresht. “Gjithçka po ecën në favor të shqiptarëve. Prandaj ne tani mund të themi se mbaroi lufta antinjerëzore kundër shqiptarëve e cila ka ecur si e tillë në mbi 100 vite resht. Por Shqipëria dhe vetë shqiptaria tani kanë shpëtuar, dhe prandaj ndërkohë ajo është duke ecur me sukses drejt rrugëtimit të saj historik. Kurse kundërshtarët historik të shqiptarëve ende nuk po e durojnë dot përparimin e shqiptarëve në të dy shtetet shqiptare, por tani nuk kanë se çfarë t’i bëjnë. Dhe po shihet se kjo është arsyeja që serbët kanë rënë sot në një heshtje që kuptohet se kjo mund të jetë një heshtje artificiale, sepse ata nuk i ka tulatur aleanca e ngushtë Tiranë – Uashington. Por ndërkohë po kuptohet se pengesa e shqiptarisë tani nuk është më te sllavët e te grekët, por është te kryeministri i Shqipërisë, i cili, kur erdhi në pushtet, e konsideroi të lehtë ndihmën e tij për sllavët. Por kur e pa Rama se ajo rrugë do ta degdiste në emigracion, ndryshoi dhe nuk po i sjell më amerikanëve asnjë pengesë në zhvillimin e tyre për forcimin e Shqipërisë, si një shtet nën i influencë të plotë amerikane. Dhe prandaj na duhet ta theksojmë sërish që, politika amerikane e ka sot domosdoshmëri aleancën e ngushtë me Shqipërinë. Por deri para një viti këtë aleancë e çorientonte politika e Edi Ramës. Kurse tani Rama është kthyer atje ku duhet edhe pse kuptohet që këtë kthesë ai nuk e ka brenda natyrës së tij politike. Gjithsesi unë mendoj se politika amerikane duhet ta shohësh me vëmendje politikën e Tiranës në funksion të Shqipërisë dhe Kosovës, sepse tani është koha kur të dyja shtetet shqiptare – Shqipëria dhe Kosova – nuk po gjejnë dot ende një gjuhë të përbashkët në lidhje me marrëveshjen e ngushtë politike Shqipërisë – Kosovë. Dhe kjo marrëveshje duhet kuptuar se është një doktrinë për bashkimin kombëtar sipas konceptit federalist”, u shpreh Ngjela.
Bashkimi i plotë
Avokati shkon edhe më tej, duke bërë thirrje për krijimin e një federate Shqipëri–Kosovë, si hapin e parë drejt bashkimit të plotë kombëtar. “Në kohën tonë askush nuk mund të jetë i sigurt nëse kryeministri që drejton një shtet nuk është me popullin e vet. Por kjo asgjë nuk ka dhënë në Shqipëri në të kaluarën, sepse shqiptarët kanë pasur dhe kanë një natyrë të veçantë: nuk ka forcë në këtë botë që t’i hedhë shqiptarët kundër vendit të tyre. Dhe ne e kemi fjalën për shqiptarët si popull i veçantë dhe jo për të shiturit që kanë fluturuar në hiç pa lënë gjurmë nga forca e shqiptarisë. Asgjë nuk mund të na bëjnë armiqtë tanë as edhe sot. Forca jonë është sot në dy shtete shqiptare. Dhe koha po ecën për shqiptarët, dhe ndërkohë ne, si shoqëri shqiptare, jemi në NATO dhe në një raport shumë të lartë miqësor dhe politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo na e jep garancinë e shqiptarisë në të dy shtetet tona: Në Shqipëri dhe në Kosovë. Por kjo nuk po mjafton. Ne na duhet të formojmë sa më shpejt që të jetë e mundur federatën Shqipëri-Kosovë, që kështu të nisë fuqishëm procesi i bashkimit në territorin e Shqipërisë edhe të Çamërisë, edhe të Epirit. Prandaj menjëherë duhet të nisin bisedimet gjithëshqiptare midis liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe me liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe të Çamërisë. Ka ardhur koha që në Tiranë të formohet liga panshqiptare Shqipëri – Kosovë – Maqedoni e Veriut – Çamëri dhe Epir. Këtë lëvizje: a është në gjendje ta krijojë me forcë qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës? Këtë po presin shqiptarët edhe nga ndihma e Uashingtonit për krijimi e forcës etnike të shqiptarisë së bashkuar, sepse në këtë pikë vijnë e bashkohen dy interesa të njëjta: interesi shqiptar Shqipëri – Kosovë dhe, edhe interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Ngjela.
Shqipëria çlirohet nga binomi i errët Rama–Berisha, Spartak Ngjela paralajmëron ndryshimin e madh, ja si aleanca…
