Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk ka zbatuar ende detyrimin ligjor për ngritjen e një skemë të kompensimit të investitorëve në tregjet e kapitalit brenda vitit 2025.Ngritja e një skeme të tillë është e parashikuar në ligjin “Për tregjet e kapitalit”, i miratuar në vitin 2020. Ligji përcakton se kjo skemë duhet ngritur brenda një afati 5-vjeçar nga miratimi i ligjit. Në strategjinë për periudhën 2023-2025, AMF angazhohet që brenda afateve të parashikuara në ligj të përcaktohen rregullat për krijimin dhe funksionimin e skemës së kompensimit të investitorëve, si edhe të bëhet një studim tregu për të vlerësuar mundësinë e funksionimit të skemës mbrojtëse për investitorët.Por, në raportimin në Kuvendit e Shqipërisë, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e AMF-së u shpreh se kjo skemë ende nuk është gati. Sipas saj, deri tani është bërë një vlerësim me konsulencën e ekspertëve të jashtëm dhe po punohet për të vijuar me ngritjen e skemës.Ndërkohë që ngritja e kësaj skeme parashikohej në ligjin e miratuar në vitin 2020, drejtoresha e AMF-së u shpreh se ky institucion po punon për një ligj të ri, në përputhje të plotë me direktivat e BE-së. Ky ligj pritet të përgatitet në vitin 2027. Forma finale e skemës së mbrojtjes së investitorëve do të vendoset në ligjin e ri. Ajo shtoi se skema për kompensimin e investitorëve ka edhe kosto për tregun dhe mund të dëmtojë zhvillimin e tij.Por, deputetët kundërshtuan parashtrimin e zonjës Kaçi, me argumentin se AMF nuk duhet të shqetësohet për kostot e operatorëve, por për të përmbushur detyrime që ka, me qëllim garantimin e zbatimit e ligjit.Skema e kompensimit të investitorëve në tregun e kapitaleve është një mekanizëm mbrojtës që synon të mbrojë investitorët kundrejt riskut të humbjeve në rastin e paaftësisë së shoqërisë komisionere për të paguar detyrimet në para apo instrumente financiare, të mbajtura në emër të klientit dhe të administruara prej saj. Kjo skemë gjen aktualisht zbatim në vendet e Bashkimit Europian, si një kërkesë e legjislacionit komunitar.Ligji “Për tregjet e kapitalit” hedh bazat për krijimin e kësaj skeme, për funksionimin e së cilës duhet të hartohen rregulla të mëtejshme.Ligji përcakton se Fondi i mbrojtjes së investitorit duhet të krijohet dhe të menaxhohet nga vetë AMF ose nga një shoqëri e autorizuar prej këtij institucioni.Anëtarësimi në Fond është i detyrueshëm për shoqëritë e licencuara për të foruar shërbime të investimeve, duke përfshirë shoqëritë komisionere e autorizuara për të mbajtur fondet e klientit ose instrumentet financiare, bankat që ofrojnë shërbime investimesh dhe kryen aktivitete investimesh dhe shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, në rastet kur kjo e fundit ofron shërbime investimesh.Kërkesat e këtij neni u aplikohen edhe degëve dhe zyrave të shoqërive të huaja komisionere, nëse ato nuk janë pjesë e skemës së mbrojtjes së investitorëve në vendin e origjinës.Skema e mësipërme do të sigurojë pretendimet monetare që një anëtar i Fondit u detyrohet klientëve ose që i përkasin një klienti, të cilat mbahen në emër të klientit për shërbimet e investimeve të dakordësuara me të; instrumente financiare, të cilat i përkasin klientit të një prej anëtarëve të Fondit dhe që mbahen prej tij në kujdestari për shërbimet e investimeve të dakordësuara me të.Kjo skemë nuk do të përfshijë fondet e klientëve të bankave, që janë të mbuluara nga ligji në fuqi “Për sigurimin e depozitave”, si edhe pretendimet e klientëve të anëtarëve të Fondit, që ngrihen nga transaksione për të cilat është dhënë një dënim penal, që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Në rast dyshimi se pretendimet e klientëve të anëtarëve të Fondit rrjedhin nga një transaksion në lidhje me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, pagesa e pretendimit nuk do të kryhet derisa të merret vendimi i formës së prerë nga gjykata për këtë transaksion.Skema do të mbulojë një vlerë maksimale prej 500 mijë lekësh për klient (investitor) të një anëtari të Fondit. Shuma e pretendimeve të klientit të një anëtari të Fondit do të përllogaritet si shuma totale e pretendimeve, pavarësisht nëse anëtarët e Fondit i mbajnë ato në një apo disa llogari, pavarësisht nëse kanë nënshkruar një ose më tepër kontrata dhe pavarësisht nëse i ofrohen një ose më tepër shërbime investimi./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nuk ngrihet skema e kompensimit të investitorëve
