Shembje masive dherash në Pukë – Fushë Arrëz nga moti i keq, bllokohet segmenti rrugor (VIDEO)

Një shembje masive dherash ka ndodhur gjatë mesnatës në aksin rrugor Pukë – Fushë Arrëz, pranë kroit të Zojës. 
Si pasojë e rrëshqitjes së dheut, segmenti rrugor është plotësisht i bllokuar për qarkullimin e automjeteve. 
Në vendngjarje ndodhen ekipet të cilat po punojnë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit. 
Deri në hapjen e plotë të segmentit, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin rrugë alternative. 
Një ditë më parë qarku Shkodër u përfshi nga moti i keq me reshje të dendura shiu. Problematika u evidentuan në njësinë administrative Gur i Zi (fshatrat Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe në njësinë administrative Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush). 
Rreth 25-30 banesa në njësinë Bërdicë dhe 10-15 banesa në Gur i Zi kishin prezencë uji. Ndërkohë edhe tokat bujqësore në njësinë Gur i Zi dhe në zonën e Nënshkodrës (Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit) u përmbytën në masën rreth 70%.