Deputeti demokrat, Luçiano Boçi ka reaguar pak minuta më parë lidhur me problematikat e krijuara këtë të diel nga reshjet e shumta të shiut në Qarkun Shkodër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boçi thekson se kjo situatë nxjerr në pah keqmenaxhimin dhe korrupsionin e pushtetit lokal e qendror.
Boçi shprehet se duhet të bëhen ndërhyrje emergjente, pasi pasojat bien gjithmonë mbi qytetarët.
“ U deshën vetëm pak orë shi stinor në Qarkun Shkodër, Bashkinë Vau Dejës, për të nxjerrë më pah papërgjegjshmërinë, paaftësinë, keqmenaxhimin e korrupsionin e pushtetit lokal dhe atij qendror.
Përroi i Glinës ka përmbytur qindra shtëpi e po ve në rrezik jetë njerëzish, jo sipas justifikimit se “natyra po sulmon”, por sipas realitetit që nuk është marrë asnjë masë paraprake e investuese për t’u mbrojtur.
Kryebashkiaku Shkreli justikohet se projekti, për të ndërhyrë në argjinaturat përgjatë tij, prej 5 vitesh nuk ka marrë dritë jeshile nga Rama.
Ndërsa qeveria ia le topin pushtetit lokal.
Ky i fundit fondet e veta i shkriu për fushatë me fryrje punësimesh të pajustifikuara e rrugë elektorale e tani ka ngelur me sytë nga qielli.
Përpos kësaj, abuzimet me shtratin e përroit janë lejuar “pa duar”, për qëllime fitimi dhe votash nga të dyja pushtetet.
Prandaj është kjo situatë e papërgjegjshme nga pushtetet që rrezikon, nëse reshtjet vazhdojnë, të kthehet në një katastrofë.
Pasojat e korrupsionit bien gjithmonë mbi qytetarët.
Ndërhyrjet emergjente për të parandaluar më të keqen, duhet të bëhen pa vonesë dhe me kapacitetet e duhura.
Përgjegjësit e situatës qendrore e lokale nuk mund t’ia hedhin me justifikime dhe me ngritje shpatullash”,-shkruan Boçi.
Problemet nga moti në Shkodër/ Boçi akuzon: Keqmenaxhim total, qeveria ia lë topin pushtetit lokal
