Pse disa njerëz nuk bëjnë kurrë seks?

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka zbuluar arsyet pse disa njerëz mbeten të virgjër gjatë gjithë jetës, edhe në moshë madhore. Studimi, i botuar në revistën prestigjioze PNAS, tregon se ky fenomen është rezultat i një ndërthurjeje të ndërlikuar faktorësh psikologjikë, socialë dhe gjenetikë.

Sipas bashkautores Laura Weseldijk nga Instituti Max Planck për Estetikë Empirike në Frankfurt, marrëdhëniet romantike dhe seksuale përbëjnë shpesh një burim të rëndësishëm mbështetjeje emocionale.

“Mungesa e tyre lidhet me vetminë, ankthin, ndjenjat depresive dhe mirëqenien e ulët tek shumë njerëz,” shpjegon ajo.

Në kërkimin e tyre, studiues nga Gjermania, Holanda dhe Australia analizuan të dhënat e mbi 400,000 personave të moshës 39–73 vjeç në Britaninë e Madhe. Rreth 1% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin bërë kurrë seks.

Rezultatet treguan se personat pa përvojë seksuale ishin më të arsimuar, por gjithashtu më të vetmuar, më të shqetësuar dhe më pak të lumtur sesa ata që kishin pasur marrëdhënie intime.
Gjithashtu, virgjëria gjatë gjithë jetës ishte më e zakonshme në zonat me pabarazi më të madhe të të ardhurave.

Tek burrat, faktorët fizikë duket se luajnë një rol më të madh: ata që nuk kishin kryer kurrë marrëdhënie seksuale kishin më shumë gjasa të ishin më të shkurtër dhe të jetonin në zona me më pak gra.

Përveç ndikimeve mjedisore dhe psikologjike, studimi tregoi se rreth 15% e ndryshimeve lidhen edhe me faktorë gjenetikë.
Sipas bashkautorit Abdel Abdelaoui nga Universiteti i Amsterdamit, “më befasuese është mbivendosja me gjenet e lidhura me inteligjencën, arsimin dhe çrregullimet neurozhvillimore si autizmi.”

Një tjetër detaj interesant: njerëzit që nuk kishin bërë kurrë seks kishin më pak gjasa të konsumonin alkool apo drogë, dhe shpesh kishin përdorur syze në rininë e tyre.

“Shohim një grup njerëzish që priren drejt tërheqjes sociale, gjë që e bën më të vështirë gjetjen e një partneri,” shton bashkautori Brendan Sitch nga Universiteti i Queensland, Australi.