Kosova E Diel, 26 Tetor 2025 11:59
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në paraditen e së dielës në tentim për të formuar Qeverinë e re.
Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja dhe është me Qeveri në detyrë. Partitë politike nuk kanë arritur kompromis për një mori procesesh.
Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh mandatar për të formuar Qeverinë e re, e ka nisur fjalimin para deputetëve duke thënë se vonesa në konstituim të Kuvendit ishte e pashembullt, dhe që ajo ka ndikuar në mbarëvajtjen e shumë proceseve.
Ai e ka përmendur se rrezikohet humbja e shumë miliona eurove nga mungesa e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Kurti ka thënë se partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë treguar gatishmëri për të bashkëqeverisur prandaj situata ka ardhur deri këtu.
“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”.
Mes tjerash, ai ka thënë se janë edhe 33 agjenci të pavrura që kanë mbetur pa mbikëqyrës dhe që dëmet për shtetin janë të mëdha.
“Prandaj ftoj secilin deputet të Kuvendit, që sot kur Qeveria të hidhet në votim, të votojë jo thjesht për interes partiak, por për interesin publik e shtetëror që t’i japim vendit Qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti.
Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.
Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.
“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.
“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.
Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai ka përmendur ndryshime në shumë sektorë, kryesisht në ekonomi, energji dhe mbrojtje.
Kurti nuk e ka lënë pa e përmendur edhe rrezikun që ka thënë se është i vazhdueshëm nga Serbia fqinje.
“Kosova sot është më e sigurt se kurrë më parë. Sfidat i kemi kthyer në mundësi për progres”. /rel/
