Çdo vjeshtë, kur ora kthehet një orë pas, shumë njerëz festojnë idenë e një “ore shtesë gjumi”. Por a ndikon vërtet ky ndryshim në shëndetin dhe humorin tonë?Ekspertët thonë se kalimi në orën dimërore është më i butë se ai i pranverës, i cili lidhet me shtim të aksidenteve rrugore dhe rritje të rasteve të infarkteve, por sërish trupi ka nevojë për përshtatje.Ndryshimi i orës ndikon në ritmet cirkadiane, orën e brendshme 24-orëshe të trupit që rregullon gjumin, vigjilencën dhe prodhimin e hormoneve.Ora verore (Daylight Saving Time) është praktika e zhvendosjes së orës një orë përpara në pranverë dhe rikthimit pas në tetor, për të zgjatur dritën e pasdites. Në Europë, ndryshimi ndodh të dielën, më 26 tetor.Sipas profesorit Malcolm von Schantz nga Universiteti Northumbria, “ndonëse disa ankohen se errësohet më shpejt, për shumicën e njerëzve kalimi i vjeshtës perceptohet si më i lehtë, pasi biologjikisht drita e mëngjesit është më e rëndësishme për trupin.”Trupi përshtatet më lehtë sepse “shtimi i një ore në ditë është më i natyrshëm për ritmet tona”. Por paralajmëron se shumë njerëz nuk e përdorin këtë orë shtesë për pushim, por qëndrojnë zgjuar më vonë dhe shtojnë borxhin ndaj gjumit.Ndërsa kalimi i pranverës, që na heq një orë gjumë, lidhet me rritje të menjëhershme të aksidenteve dhe problemeve kardiake, kalimi i tetorit ka efekte më të buta.Një studim i vitit 2025 nga Universiteti John Moores i Liverpoolit dhe Universiteti i Oksfordit zbuloi se gratë kanë më shumë gjasa të përjetojnë shqetësime, stres dhe lodhje pas ndryshimit të orës, ndërsa te fëmijët vërehen vonesa në oraret e gjumit dhe vështirësi në zgjim, duke shtuar tensionin në familje.Kërkime më të gjera sugjerojnë se ndryshimet e shpeshta të orës mund të kenë pasoja serioze në plan afatgjatë.Një analizë nga Stanford Medicine zbuloi se zhvendosjet sezonale të orës lidhen me rritje të rrezikut për goditje në tru dhe obezitet.Kalimi në një orar të përhershëm standard mund të parandalonte rreth 300 mijë raste goditjesh në tru çdo vit dhe të ulte rastet e obezitetit me mbi 2.6 milionë njerëz.Ekspertët theksojnë se ruajtja e një orari të qëndrueshëm gjumi është thelbësore për shëndetin afatgjatë. “Trupat tanë mund të përballojnë disa luhatje, por nga të dhënat epidemiologjike, dimë se për shëndetin afatgjatë është më mirë të minimizohen ndryshimet,” thotë von Schantz.Ai thotë se zgjimi vonë në fundjavë mund të ndikojë negativisht në zemër dhe metabolizëm. Një studim tjetër tregoi se personat me orare të parregullta gjumi kishin 26% më shumë rrezik për probleme kardiovaskulare, edhe kur flinin 7–9 orë në natë.Shumë shkencëtarë, përfshirë Shoqatën Britanike të Gjumit, kërkojnë heqjen përfundimtare të ndryshimeve sezonale të orës dhe vendosjen e kohës standarde të përhershme.Bashkimi Europian e ka propozuar që në vitin 2018, por shtetet anëtare nuk kanë arritur marrëveshje nëse do të mbajnë orën e dimrit apo të verës.Për momentin, ora vazhdon të ecë përpara dhe prapa çdo vit. Ekspertët këshillojnë që njerëzit ta përdorin këtë orë shtesë për të pushuar me të vërtetë, jo për të qëndruar zgjuar më gjatë.“Flini në orarin tuaj të zakonshëm, ose pak më herët,” këshillon Dr. Partonen. “Në këtë mënyrë, trupi do ta shfrytëzojë orën shtesë për rigjenerim dhe do të shmangni mungesën e gjumit.” / BBCKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
A ndikon kthimi i orës pas në shëndetin tonë? Ja çfarë thonë ekspertët
