“Pa normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë integrim të plotë të të dyja vendeve në BE”.
Kështu është shprehur eurodeputeti Tonino Picula, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova.
Ai më tej tha se integrimi në BE i të dyja vendeve është i lidhur ngushtë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Sipas tij, ky proces do të duhej të përfundonte me një ujdi ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse për normalizimin raportesh mes dy shteteve.
Ndonëse dialogu u ripërtëri më 2023, ai tha se “në vend që kapet momentumi, erdhi te një seri e vërtetë të krizave, që më seriozja ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës”.
Deputeti i Parlamentit Evropian tha se sulmi i para dy viteve në Banjskë nga formacioni paramilitar serb, me në krye Millan Radoiçiqin, “paraqet cenimin më serioz të paqes në Kosovë”.
Ai tha se PE-ja i ka dënuar rreptë kryesit e këtij sulmi dhe i ka bërë thirrje pushtetit serb që t’i sanksionojnë sulmuesit.
“Për më tepër ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit ndaj sulmuesve në Banjskë të jetë njëri nga kriteret për vlerësimin e plotë situatës në Serbi dhe aftësisë së e Beogradit që të ec në rrugën evropiane”.
“Edhe zyra e BE-së në Kosovë, mendoj rishtazi i ka thënë autoriteteve në Beograd se pret së shpejti arrestimin dhe procedimin e atyre që kryen sulmin në Banjskë, e të cilët ndodhen në Serbi. Për fat të keq, Beogradi edhe më tutje injoron kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit gjyqësor që pritet dhe ka shumë gjasë që kjo po ndodh me urdhrin e kreut shtetëror”, potencoi ai.
Tutje, ai foli edhe për marrëdhënien e BE-së ndaj presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
“Më duhet të them se paraprakisht, Serbia në këtë rast Vuçiqi, kishin përkrahje të veçantë të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, por jo vetëm të saj por edhe të disa liderëve të disa vendeve anëtare të BE-së. Sot ky raport gradualisht po ndërron, dhe këtë javë, në seancën e Parlamentit Evropian në Strasburg kemi votuar Rezolutën për polarizimin dhe represionin në rritje në Serbi”, deklaroi ai.
Picula deklaroi se koncepti i asaj që quhet “Bota Serbe” nuk është tjetër veç tentim për rehabilitimin e këtij procesi në këto kushte të reja gjeo-politike.
“Në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të bashkëjetojnë ideja e ‘Botës Serbe’ dhe integrimeve evropiane. Njëra përjashton tjetrën, sepse pas programit revizionist është dhe ambicia e Rusisë agresive që kurrë nuk ndaloi ta imponojë ndikimin e saj në këtë Evropën Juglindore”, deklaroi ai, duke potencuar se zgjidhja është anëtarësimi i shteteve të rajonit në BE, dhe për ato që duan në NATO
