Nesër e dielë, në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re, në një kohë që zgjedhjet u mbajtën në shkurt. Albin Kurti është mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për të paraqitur para parlamentit programin dhe përbërjen e ekzekutivit. Kurti nuk i kanë ende 61 votat e nevojshme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se me Kurtin nuk diskuton asnjëlloj qeverie e opsioni. Kjo është mbështetur edhe nga akterë të tjerë të PDK-së që thanë se partia e tyre nuk voton pro qeverisë Kurti 3.
Qëndrim thonë se nuk kanë ndryshuar as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku tha se kanë dallime thelbësore me LVV-në e nuk do bashkëpunojnë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër preferon qeveri të opozitës e njëkohësisht ka deklaruar se nuk ka interes të bashkëpunojë me Albin Kurtin.
Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk voton pro një qeverie me Kurtin kryeministër, përderisa, Dimal Basha mbetet kryetar i Kuvendit. Albin Kurti që është nisur për të formuar qeverinë të dielën ka vetëm 56 vota për, 48 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe 8 nga minoritetet joserbe.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen të paktën edhe pesë vota të tjera për ta zgjedhur kryeministrin. Nëse nuk formohet qeveria të dielën nga Kurti, një shumicë e dytë parlamentare ka kohë dhjetë ditë të provojë. Partia Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, ka deklaruar se nuk do kërkojë nga presidentja një gjë të tillë. Kjo i ka hapur përfundimisht rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme paralamentare, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, ku theksohet se në rast se dështon edhe mandatari i dytë, shkohet në zgjedhje të parakohshme.
