Lobimi në institucionet shtetërore, qeveria hedh për konsultim publik projektligjin

Qeveria do të rregullojë lobimin me ligj. Projektligji është publikuar për konsultim publik ndërsa pasqyrohen rregulla të qarta se si do të zhvillohet lobimi pranë institucioneve shtetërore. Ky draft i qeverisë ka qëllim rritjen e transparencës ndërsa synon të parandalojë lobimet e fshehta apo korruptive në politikë.
Në draft theksohet se lobimi do të mund të ushtrohet nga persona fizikë ose juridikë të cilët do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm, i cili do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Megjithatë, çdo përson ka detyrimin që ta bëjnë publik qëllimin e lobimit dhe subjektin.

“Kontrata për lobim përmban, të dhënat identifikuese të palëve kontraktuese, objektin e lobimit, përfshirë përshkrimin e çështjes, fushën dhe qëllimin, afatin dhe mënyrën e ushtrimit të aktivitetit të lobimit, shumën e shpërblimit dhe mënyrën e pagesës, si dhe çdo kontribut tjetër financiar ose në natyrë, deklaratën e lobistit ose të përfaqësuesit të personit juridik mbi mungesën e konfliktit të interest si dhe identitetin e çdo subjekti të tretë të përfshirë në ofrimin e shërbimeve të lobimit.”
Po ashtu ligji parashikon edhe masa apo sanksione administrative në rast shkeljesh me vlerat nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Drafti vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë që zhvillojnë takime apo komunikime me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.
Gjithashtu theksohet se përjashtohen nga lobimi individët të cilët janë dënuar për vepra penale të renda, kanë detyrime tatimore të pashlyera apo janë në proces falimetimi e likujdimi.
“Lobistët ndalohen të përdorin forma ndikimi të paligjshme ose korruptive.Personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash, mashtrim apo vepra të tjera të rënda penale nuk mund të ushtrojnë lobim për një periudhë 5-vjeçare nga mbarimi i dënimi, kur konsiderohen të rehabilituar.”
Ligji ndalon lobimin në përfaqësim të shteteve ose institucioneve të huaja kur kjo bie ndesh me interesin publik, sigurinë kombëtare apo ligjet për financimin politik.
Ky projektligj ka në fokus ndërveprimin midis palëve të interesuara si bizneset, organizatat e shoqërisë civile apo grupet e ekspertëve nga njëra anë dhe vendimmarrësve publikë nga ana tjetër, duke garantuar që proceset e politikëbërjes të jenë transparente dhe të gjurmueshme.