Krijimtaria e kompozitorit Gjon Simoni në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH. Një mbrëmje e veçantë muzikore këtë tetor kushtuar krijimtarisë së kompozitorit Gjon Simoni, nën drejtimin e dirigjentit Eni Koço “Nderi i Kombit” dhe me pjesëmarrjen e violinistit Lorenc Radovani. Në sallën e Universitetit të Arteve, Orkestra Simfonike e RTSH solli një koncert që preku zemrat e publikut, një udhëtim përmes veprave të paharrueshme të kompozitorit Gjon Simoni. “Nën dirigjimin plot finesë të Maestro Eno Koço dhe me interpretimin e violinistit Lorenc Radovani, muzika mori jetë, duke sjellë emocione të thella dhe duartrokitje të zjarrta. Një mbrëmje që dëshmon se arti dhe muzika shqiptare mbeten gjallë në çdo notë”, thuhet nga orkestra rreth koncertit. Krijimtaria muzikore e Gjon Simonit është e pasur dhe e larmishme, ajo është luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme muzikore të Shqipërisë dhe jashtë saj. Ndërsa edhe ky koncert më 23 tetor solli një program të pasur me krijimtarinë e tij. Koncerti i radhës i Orkestrës së RTSH këtë tetor u zhvillua me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Lorenc Radovani, i vlerësuar për nivelin e lartë artistik, muzikalitetin dhe integritetin e interpretimit të tij. Përveç veprimtarisë pedagogjike, Lorenc Radovani ka zhvilluar një karrierë të gjerë koncertale si solist dhe muzikant i muzikës së dhomës, duke interpretuar në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Ai ka bashkëpunuar me orkestrat kryesore shqiptare dhe me orkestra ndërkombëtare si MittelEuropa Orchestra (Itali), Greeley Philharmonic Orchestra (USA), Orkestra Ballkanike, Orkestra e Mesdheut, Ansambli “Porteno” (USA) dhe të tjera. Ndër bashkëpunimet me dirigjentë dhe instrumentistë të njohur veçohen emrat: Teqja, Koço, Lepuri, Barbullushi, Llapaj, Quadrini (Itali), Silivestro (Itali), Cuniot (Francë), Pacor (Itali), Cortese (USA), Madhi, Tartari, Basha, Paço, Manaj, Rexha-Tershana, Spahiu, Ciofini (Itali), Nicholas (USA), Natalia Chiaikovskij (Rusi), Mustea (Rumani) etj.
Orkestra e RTSH koncert me veprat e Gjon Simonit, dirigjent Eno Koço, në skenë dhe violinisti Lorenc Radovani
