Julian Kazazi: Artistët në Shqipëri të pambrojtur, institucionet shpesh përdorin largimin nga puna si mjet presioni

Prej 13 vitesh Julian Kazazi vijon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar në Tiranë. Por një ditë më parë gjatë një deklarate për mediat ai ka bërë me dije po ushtrohet presion dhe tentativa për heqje nga puna. Edhe në një intervistën për gazetën “SOT” artisti Julian Kazazi thotë se kjo po ndodh, sepse ai ka ngritur zërin kundër shkeljeve administrative dhe keqmenaxhimit të institucionit. Kazazi thotë se artistët në vendin tonë janë ndër kategoritë më të pambrojtura, sipas tij sot ata punojnë pa garanci reale. Por përballë problemeve me të cilat përballen artistët në aktivitetin e tyre, ai thotë se Cirku Kombëtar duhet të jetë një qendër kombëtare e artit të spektaklit, me një infrastrukturë të re, me program sezonal, me shkollë cirku dhe me bashkëpunime ndërkombëtare, ku sipas tij për këtë po lufton dhe komunisti i artistëve. Por për çfarë po ndodh me jetën artistike në vend dhe problemet me të cilat përballen artistët në institucionet e artit, Julian Kazazi që është edhe presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH) shpreh kritika dhe për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndër të tjera ai thotë se nga ministria artistët kërkojmë përgjegjshmëri, standarde dhe dialog. Ministria sipas Kazazit duhet të garantojë funksionim normal të institucioneve, jo klimë presioni ndaj artistëve; mbështetje dhe jo braktisje për komunitetin artistik.
-Ju jeni shprehur se prej muajsh po përballeni me tentativa të përsëritura për largimin tuaj nga puna pranë Cirkut Kombëtar. Çfarë ka ndodhur?
Prej më shumë se një viti jam përballur me presion të vazhdueshëm institucional, penalizime të pajustifikuara dhe tentativa të përsëritura për të më larguar nga puna, vetëm sepse kam ngritur zërin kundër shkeljeve administrative dhe keqmenaxhimit të institucionit. Si artist dhe si përfaqësues sindikal, më është bërë e qartë se problemi nuk është tek puna ime profesionale, por tek fakti që nuk kam pranuar të hesht përballë abuzimeve, mungesës së transparencës dhe përpjekjeve për të mbytur zërin e punonjësve. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë sindikale dhe të drejtës për t’u organizuar.
 -Ndërkohë a u zhvillua seanca dëgjimore për ju, ashtu si kishit bërë me dije?
Po, seanca dëgjimore ishte caktuar për të premten nga ana e punëdhënësit, por që në nisje u vu re se procesi nuk kishte as transparencë, as paanshmëri dhe as punëdhënësi nuk qëndroi në seancë por u largua. Në vend që të qëndronte për të më informuar për “shkeljen” time, kishte ngritur me urdhër një komision pa tagër administrativ për vendimarrje. Kërkuam që seanca të shtyhet në një moment të dytë.

-Ka pasur dhe raste të tjera në institucione kur artistët janë përballur me presione për largime nga puna, por për ju sot sa janë të mbrojtur artistët?
Fatkeqësisht, artistët në Shqipëri janë ndër kategoritë më të pambrojtura. Sot ata punojnë pa garanci reale, me kontrata të brishta, shpesh të varur nga vullneti i drejtorit të radhës apo sipas direktivave të strukturës së ministrisë përkatëse. Mjafton një mendim ndryshe, një kërkesë ligjore apo një zë kritik, dhe rrezikon karrierën. Rasti im dhe disa raste të tjera të fundit tregojnë qartë se mungon një sistem i mbrojtjes së punonjësve të artit dhe se institucionet shpesh përdorin largimin nga puna si mjet presioni. Artistët nuk duan privilegje, duan vetëm të respektohet ligji dhe profesioni i tyre.
-Ju jeni dhe kreu i SPAKMSH . Duke qenë në këtë sindikatë në drejtim të saj, me çfarë problemesh përballen sot artistët?
Problemet janë të shumta, por do të veçoja katër kryesoret: Mungesa e kontratave të sigurta dhe shkeljet e kontratave kolektive; Ndërhyrje politike dhe presion në institucionet artistike; Mungesa e statusit të artistit, që do të garantonte të drejta minimale profesionale; Zero dialog social me politikëbërjen kulturore. Ne kemi kërkuar prej kohësh Statusin e Artistit, dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës kundër abuzimit të pushtetit. Artistët nuk mund të trajtohen si të përkohshëm në institucionet që vetë ata i mbajnë gjallë.
-Në gjendjen që është sot Cirku Kombëtar, çfarë shikoni problematika, duke qenë se nuk ka më as çadrën e tij ?
Sot Cirku Kombëtar është në pikën më të dobët të historisë së tij 65-vjeçare. Pa shtëpi, pa investime, pa vizion artistik, dhe me një klimë të brendshme frike e presioni ndaj artistëve. Por, pavarësisht kësaj, unë besoj se ky institucion ka potencial të ringrihet fuqishëm, nëse ka vullnet dhe profesionalizëm. Cirku nuk mund të jetë as strehë klientelistësh e as platformë presioni mbi artistët. Ai duhet të jetë një qendër kombëtare e artit të spektaklit, me një infrastrukturë të re, me program sezonal, me shkollë cirku dhe me bashkëpunime ndërkombëtare. Ky është vizioni ynë si komunitet artistësh dhe për këtë po luftojmë.
-Në situatën që ndodheni ju apo të tjerë artistë që hasin probleme, çfarë kërkoni nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në lidhje me institucionet?
Sot ne shohim një distancë të madhe mes ministrisë dhe realitetit të institucioneve artistike. Ministria ndërhyn fort në emra drejtorësh, por shumë pak në mbrojtjen e artistëve dhe funksionimin profesional të vetë institucioneve. Në një kohë kur duhej dialog, shpesh kemi heshtje; në një kohë kur duhej transparencë, kemi procedura të mbyllura; dhe në një kohë kur duhej vizion, kemi improvizim. Në shumicën e rasteve kur artistët kanë denoncuar shkelje, presion apo abuzime me funksionin, institucionet e varësisë kanë mbetur pa përgjigje konkrete. Kjo krijon një kulturë frike brenda institucioneve dhe një mesazh të rrezikshëm: drejtuesit e emëruar janë të pakontrolluar, ndërsa artistët e pambrojtur. Ne nuk kërkojmë përplasje me ministrinë, kërkojmë përgjegjshmëri, standarde dhe dialog. Ministria duhet të garantojë: Funksionim normal të institucioneve, jo klimë presioni ndaj artistëve; Mbështetje dhe jo braktisje për komunitetin artistik; Zbatim të ligjit, e jo tolerim të shkeljeve; Dëgjim, konsultim dhe dialog social me sindikatat dhe trupat profesionale. Institucionet e kulturës nuk janë zyrë pune për të emëruar njerëz, por tempull i artit. Artistët nuk janë staf i bindur në heshtje, por njerëzit që mbajnë mbi shpinë identitetin kulturor të vendit. Derisa të kuptohet kjo në nivel qeverisës, konfliktet do të vazhdojnë dhe kultura do të mbetet pa drejtim. Ne nuk do të dorëzohemi dhe as nuk do të heshtim. Çdo formë presioni, shantazhi institucional apo tentativë për të mbytur zërin e artistëve do të marrë përgjigje të barabartë, ligjore dhe publike. Nëse institucionet vendase zgjedhin të mbyllin sytë dhe të mbrojnë abuzimin në kurriz të artistëve, atëherë ne do t’i drejtohemi çdo institucioni kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë organizatat europiane të punës, sindikatat partnere dhe mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, për të garantuar të drejtat tona. Liritë sindikale nuk negociohen, dinjiteti i artistit nuk shkelet dhe e drejta për të denoncuar padrejtësinë nuk mund të ndëshkohet. Kush mendon se mund ta kontrollojë artin me frikë, do të përballet me ligjin dhe me rezistencën tonë të hapur. Ne do të qëndrojmë deri në fund, sepse arti nuk pranon skllavëri, arti kërkon liri.
Intervistoi: Julia Vrapi