“Shqipëria e zhytur në kënetën e pushtetit të Ramës”, Lela paralajmëron: Dy zëvendëskryeministra nën presion nga..

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, komentoi në një emision televiziv zhvillimet e fundit politike dhe raportin e OSBE-ODIHR, duke e cilësuar gjendjen aktuale të vendit si një ‘ligatinë’ të krijuar nga qeverisja e Edi Ramës.
Sipas tij, dy lajme të fundit, një zëvendëskryeministër në ekzil dhe një tjetër që përballet me rrezikun e burgut, janë tregues të qartë të kalbëzimit të sistemit politik. Lela theksoi se raporti ndërkombëtar bën ‘autopsinë e një kufome’ politike, ndërsa zgjedhjet në Shqipëri i cilëson si të vdekura që prej kohës kur pushteti është kapur nga një ‘klikë’ që bashkëpunon me elementët më të errët të shoqërisë për të mbajtur kontrollin përmes manipulimit dhe vjedhjes së votës.
Alfred Lela: Janë dy lajme që plotësojnë njëra-tjetrën. Janë ngushtësisht të lidhura, të dyja tregojnë kënetën, ligatinën ku është zhytur Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës. Kemi një zëvendëskryeministër që ndodhet në ekzil, kemi dhe zëvendës kryeministren tjetër që ndodhet afër ekzilit, ose afër qelisë nëse i referohemi historisë jo shumë të largët, të freskët. Historisë së Erion Veliaj por dhe të Arben Ahmetaj. Sa i takon raportit…Raporti bën autopsinë e një kufome që shumëkush prej atyre që duan ta shohin në sy realitetin e kanë kuptuar tashmë se çfarë është dhe e kanë identifikuar, e kanë treguar me gisht.
Zgjedhjet janë të vdekura, zgjedhjet janë të rëna dhe nuk janë vetëm këto, janë disa palë zgjedhje qysh kur Shqipërinë e ka marrë në dorë një klikë, Edi Rama, dhe ka dy filozofi. Bashkëpunimin me elementët më të errët të shoqërisë dhe përdorimin e këtyre elementëve të strukturës shtetërore, gjë që thuhet qartësisht në raportin e OSBE-ODIHR për të vjedhur dhe për të mbajtur pushtetin me zgjedhje të vjedhura. Pushteti, po themi që është perdja që bie mbi 4 rezoluta që ka nënshkruar organizma shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Ka qenë një këmbanë që ka rënë prej kohësh sigurisht por që ka rënë në vesh të shurdhët të qeverisë dhe atyre rreth e rrotull saj, për interesa, shije apo dëshira.