Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën hetim Belinda Ballukun, zëvendëskryeministren dhe Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës. Fletë-thirrja ka shkuar në adresë të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, mbi bazën e një shkrese të firmosur nga prokurori i Posaçëm Dritan Prençi.
Gazetari Elkier Bushkolaj në një studio televizive tha se hetimi i SPAK është fokusuar tek tenderët dhe projektet ku janë përfshirë miliona euro, dhe Balluku mund të përballet me akuza për shpërdorim detyre ose për shkelje të barazisë në tendera. Hetimi lidhet me mënyrën se si janë menaxhuar tenderët në institucionet që ajo ka drejtuar, përfshirë edhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve të saj të afërt, si ish-drejtorë dhe zyrtarë të tjerë, disa prej të cilëve tashmë janë hetuar ose arrestuar nga SPAK.
Sipas Bushkolajt, kontrollet e kryera në banesat dhe zyrat e disa prej bashkëpunëtorëve të Ballukut tregojnë se hetimi ka arritur në një fazë të avancuar dhe se SPAK po shqyrton çdo nivel të përfshirjes së saj në vendimet që mund të kenë favorizuar kompani të caktuara në tendera të mëdhenj, përfshirë projekte infrastrukture dhe energjetike.
Pjesë nga deklarata:
Kjo e sotmja është një zhvillim i rëndësishëm, koha tregon, e as Belinda Balluku nuk i shpëtoi mallkimit të 2-shit në PS dhe në qeverinë Rama. Pas Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt, ajo është personi i tretë me poste të rëndësishme në këtë qeveri.
Defakto, ekonomia shqiptare ka qenë në dorë të Ballukut, sepse ministritë që ajo ka drejtuar kanë edhe entet më të rëndësishme. Që për ironi të fatit, dhe drejtuesit e këtyre enteve janë subjekt i SPAK. Ai emri i parë që na vjen ndërmend, nga ku dyshohet se ka derivuar edhe dosja për Ballukun, apo hetimi për Ballukun, mund të lidhet me Ervin e Evis Berberit, ish-kreut të ARSH, i cili kishte krijuar një skemë 5D si në Bashkinë e Tiranës dhe po e kishte krijuar në institucionin që drejtonte në ARRSH. Ku tenderat e kësaj kompanie, nëpërmjet kompanive fiktive, shkonin në finale tek kompania e tij private, DAM SHPK. Aty u bë hetimi dhe arrestimi i tij.
Kjo dosje, duhet të kemi parasysh, ka implikuar shumë zyrtarë të tjerë, mes të cilëve edhe kreun e Bashkisë Shkodër. Pjesë e kësaj dosjeje ka gjasë të jetë edhe Belinda Balluku. Balluku, pas Veliajt, është një ndër politikanët me më shumë kallëzime e paraqitur në SPAK nga ana e opozitës.
Kemi edhe një deklaratë të bërë nga Arben Ahmetaj në “Cim Peka”, që ekspozoj për herë të parë aferën e tunelit të Llogarisë, ku tha se me tujen e kompanisë turke, u rrit me 50 milion euro projekti final i tunelit, ndërkohë që punimet i kryente po e njëjta kompani shqiptare, kompania Gjoka. Kompania e një ish-deputeti të PS, Rrok Gjoka, e cila finalizoi edhe atë projekt.
Duhet të kemi parasysh që drejtimi i atyre ministrive të rëndësishme, ku qarkullojnë miliona euro dhe tendera miliona euro, duhet të ishte prej kohësh në lupën e SPAK. Ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi, është një ndër bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, i cili u zgjodh edhe një ndër deputetët më të votuar në Fier. Prania e kaq shumë dosjeve, prania e kaq shumë bashkëpunëtorëve të saj në SPAK, zbërthimet e tabulateve telefonike dhe ndjekja e paras, na ka çuar në këtë pikë.
Fakti që është komunikuar në SPAK me një avokat, qartazi të le të kuptosh se jemi në kushtet ku asaj do t’i komunikohet një akuzë, ku me gjasë do të jetë një akuzë për shperdorim detyre ose shkelje të barazisë në tendera.
Është Prokurori Dritan Prençi i cili ka firmosur fletëthirrjen. Ishte zoti Bardhi që doli në deklaratë sot, që tha se ka pasur tentativa intimidimi kundrejt prokurorit Prençi. Nëse kjo ka ndodhur, është e rëndë. Bardhi le të kuptohet se mes të përfshirve, përveç personazheve të botës së krimit, mes personave të përfshirë presionet karshi Prençit të jenë edhe nga kryeministri Rama. Deklaratë që i mbetet atij, por duhet të ketë verifikime nga SPAK, se në fund të ditës është një nga prokurorët e SPAK.
Mbetet për tu parë. Po goditet një prej personazheve më të rëndësishëm të kësaj qeverie dhe kadroja e ministrive që kanë qarkulluar miliona euro. Ka një ngërç në lidhje me praninë apo mospraninë e saj, me justifikimin që mund të jetë një aktivitet ndërkombëtar. Disa prej kolegëve të saj dhe bashkëpunëtorëve të saj u janë kontrolluar banesat dhe zyrat, çka tregon se jemi afër fundit të hetimeve. Jemi në pikën e vlimit të hetimeve.
“Pas Ahmetajt dhe Veliajt, radha e Ballukut”, Bushkolaj: Zëvendëskryeministrja mund të akuzohet për shpërdorim..
