Hakeroi e-mailet e prokurorëve të SPAK, lihet në qeli ish-zyrtari i burgut të Vlorës

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mbajë nën masën “arrest me burg” ish-zyrtarin e burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.
Ky vendim u mor nga gjyqtari Erion Bani, pas shqyrtimit të kërkesës së Gjonit për të marrë informacion mbi hetimet që po kryhen ndaj tij.
“Kërkuesi Zambak Gjoni më 03.10.2025 paraqiti kërkesë për dhënie informacioni mbi hetimet penale në ngarkim të tij, sipas nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Posaçme vendosi, me vendimin nr. 644, datë 24.10.2025, vazhdimin e masës së sigurisë ‘Arrest në burg’, të caktuar më parë me vendimin Nr.32, datë 14.03.2025. Prokuroria e Posaçme dhe policia gjyqësore janë ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi, i cili mund të ankimohen brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit”, thuhet në njoftim.
Zambak Gjoni akuzohet nga SPAK për përpjekje për të hyrë në email-et e tre prokurorëve të posaçëm, duke marrë disa të dhëna, por pa pasur qasje në dosje hetimore.
Sipas SPAK, ai dhe ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj, tentuan gjithashtu të hyjnë në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Ngjarja ndodhi më 12 mars dhe arrestimet u kryen brenda 24 orësh. Pajisjet dhe skedarët e përdorur për ndërhyrjen u sekuestruan nga autoritetet.
Disa nga dokumentet e përfituara janë shpërndarë më pas tek persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.