Gjatë një ndalese në Bejrut për shfaqjen e filmit “Inside Gaza”, gazetari palestinez Adel Zaanoun rrëfen për L’Orient Le Jour përvojën e tij në mbulimin e luftës shkatërrimtare në Rripin e Gazës.
Lindur dhe rritur në Gaza, Zaanoun drejton zyrën e Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) në enklavën palestineze, të cilën e ka mbuluar për më shumë se 30 vjet. Ai është një nga personazhet kryesore të dokumentarit “Inside Gaza”, që ndjek për shtatë muaj jetën e reporterëve të AFP-së gjatë luftës shfarosëse të Izraelit, që nga sulmi i 7 tetorit e deri te bombardimet e mëvonshme. Në prill të vitit 2024, ai u evakuua nga Gaza nga punëdhënësi i tij dhe që atëherë jeton në Qipro, ku vazhdon të raportojë për konfliktin.
Si shef i zyrës së AFP-së në Gaza, cilat janë përgjegjësitë tuaja? Dhe si ia dolët të ushtroni këtë profesion në kushte kaq ekstreme?
Puna ime konsiston kryesisht në koordinimin e ekipeve të fotografisë, videos dhe tekstit. Ne mbulojmë të gjitha ngjarjet që lidhen me Gazën, madje edhe ato që zhvillohen jashtë enklavës, si p.sh. negociatat.Në kohë normale, vendimet janë të thjeshta. Por kjo luftë, e pesta që përjetojmë, ka përmbysur gjithçka. Çdo vendim u bë çështje jete a vdekjeje. Çdo fjalë e thënë, çdo gjest ndaj një kolegu mund të kushtonte një jetë.
Shumë nga temat që trajtojmë kërkojnë prani në terren: bombardimet, të vdekurit, shkatërrimi, gjithçka që ka më brutale lufta. Profesioni kërkon “të sjellësh historinë”, por kur të jesh në terren do të thotë se mund të vdesësh, atëherë tërhiqesh, jo një hap, por dhjetë.Mbi 255 gazetarë janë vrarë, rreth 400 janë plagosur. Ditën e “Përmbytjes së al-Aqsës”, disa reporterë u nxituan të filmonin, pa menduar. Unë menjëherë e dija: askush nuk duhej të shkonte. Ishte vdekje e sigurt, dhe kjo u ndodhi disa prej tyre. Nëse të jesh gazetar është e rrezikshme kudo në botë, të jesh gazetar palestinez është edhe më shumë. E të jesh gazetar në Gaza do të thotë të jetosh mes vdekjes, ta përballesh atë çdo çast.
Sot, ju punoni nga jashtë. Si e përjetoni faktin që mbuloni Gazën nga larg?
Nga larg gjithçka bëhet më e vështirë. Kur sheh një ngjarje me sytë e tu, e tregon ndryshe. Nga jashtë, përshkruan vetëm një pjesë të realitetit. Ne ende kemi kamera, reporterë në terren, një ekip të vogël që vazhdon të punojë. Edhe pse e njoh Gazën përmendësh, rrugët, njerëzit e saj, është tepër e vështirë të shkruash kur nuk je më vetë pjesë e historisë. Dhe nga jashtë, jetoj me frikën e telefonit. Çdo mesazh, çdo njoftim më ngurtëson. Kam frikë të mësoj se nëna ose vëllezërit e mi janë vrarë. Kjo frikë u thellua kur mbesa ime Amal, 21 vjeçe, që ishte reportere, u vra në pragun e derës, duke u përpjekur të arrinte tek vajza e saj disa muajshe, e lindur gjatë luftës. Kur mësova për vdekjen e saj, ishte në WhatsApp. Emri i saj u shfaq në një grup. Pastaj heshtje. Pastaj një mesazh: “Ajo iku.”
“Iku”, sikur të mos ishte “vrarë si martire”, siç thuhet zakonisht. Që nga ajo ditë, çdo dridhje telefoni më duket si një shpërthim. Është një formë torture që do të mbarojë vetëm kur të mbarojë edhe lufta.
Çfarë u thoni atyre që e shohin me mosbesim gazetarinë palestineze?
Është për të ardhur keq, vërtet, që disa gazetarë konsiderohen më të vlefshëm se të tjerët.Ne, gazetarët palestinezë, jetojmë nën një dyshim të përhershëm, edhe pse jemi në terren, në zemër të luftës, banorë të kësaj toke të vogël e të mbipopulluar.
Në Gaza kemi mbuluar shumë konflikte, gjithmonë me profesionalizëm, neutralitet dhe integritet. Në kohë lufte, marrja e informacionit të besueshëm është një sfidë, por ne kemi rrjetet tona: kontakte zyrtare, fraksione, parti, banorë, OJQ ndërkombëtare, madje edhe burime izraelite. Kjo na lejon të ruajmë një pamje relativisht të plotë. Ne e mbështesim gjithmonë punën tonë me foto dhe video, për t’i dhënë më shumë besueshmëri.
Është tronditëse të mendosh se mjafton që një gazetar i huaj të jetë pranë nesh që autoritetet izraelite të dyshojnë më pak për punën tonë. Në përgjithësi, sindikatat dhe shoqatat e shtypit të huaj mund të kishin bërë më shumë, veçanërisht duke ushtruar presion real mbi Izraelin. Ndoshta kjo nuk do të kishte ndaluar vdekjet, por mund të kishte zbutur intensitetin e sulmeve ndaj zyrave të shtypit, makinave, shtëpive. Edhe pa përgjigje nga Izraeli, një mobilizim i tillë mund të kishte ndikuar te amerikanët apo europianët.
Keni përjetuar ditë të tmerrshme në Gaza. A ka diçka që nuk keni mundur ta tregoni apo ta shfaqni?
Pafuqi. Ndjenja më e keqe. Nuk mund t’i ushqesh fëmijët, as t’i mbrosh. Nuk mund të mbrosh askënd, as veten, as familjen, as kolegët. Këtë ndjenjë mund ta kuptosh vetëm po ta kesh jetuar.Të jetosh në Gaza është të shkosh përtej çdo gjëje që mendja mund të imagjinojë, përtej asaj që zemra mund të përballojë. Fjalët nuk mjaftojnë.
Më kujtohet një moment veçanërisht i vështirë. Kam dy binjakë 11-vjeçarë, një djalë dhe një vajzë. Një ditë, në Rafah, një raketë ra 50 metra larg nesh. Vajza ime, e tmerruar, më pa dhe më tha: “Është sepse ti je gazetar?” Ajo mendonte se po na bombardonin për shkakun tim. Në atë moment, as nuk munda të qaja. Gruaja ime dhe unë ishim të bindur se ishte fundi. Që nga ajo ditë, vajza ime e urren fjalën “gazetar”. Ajo e lidh atë me vdekjen.
Si mund të shëroheni psikologjikisht pas më shumë se dy vjetësh përjetimi e raportimi të kësaj lufte?
Ne jemi detyruar, nga përmasat e asaj që kemi përjetuar, të harrojmë shëndetin tonë. Është e tmerrshme, por e vërtetë. Ne rrëzohemi fizikisht dhe mendërisht, e dimë, por nuk mund të ndalemi. Sa kohë që lufta vazhdon, është e pamundur të shërohesh. Ne vazhdojmë të mbulojmë tmerrin, ditë pas dite. Ne nuk shkruajmë për modën apo sportin, shkruajmë për vdekjen, shkatërrimin, njerëzit tanë. Ata që janë ende në Gaza kanë nevojë për pushim të plotë, larg gjithçkaje, ndoshta për vite. Vetëm atëherë mund të fillojnë ngadalë të rindërtohen. Ata që kanë arritur të largohen, si unë, kanë qenë më me fat. Por edhe ne kemi nevojë për ndihmë të thellë psikologjike, shumë përtej “kujdesit post-traumatik”. E ndiej që diçka brenda meje është thyer. Dikur isha njeri i qetë, i menduar, kolegët më quanin “i urti”. Sot, ndonjëherë humbas kontrollin, shpërthej. Kam arritur kufirin tim.
Si e përjetuat largimin nga Gaza? Dhe a mendoni të ktheheni?
Fillimisht u evakuuan familjet tona. Ishte një barrë e madhe, emocionale dhe logjistike. Vendimi nuk vinte nga ne, por nga drejtuesit e agjencisë. Sikur të varej nga ne, shumica e gazetarëve të AFP-së do të kishin qëndruar. Nëna ime, vëllezërit e motrat, disa kolegë janë ende atje. Personalisht, dua të kthehem në Gaza, si shumë kolegë të mi. Gjatë armëpushimit të fundit, nisëm ta diskutojmë këtë. Por pyetjet mbeten: A do të na lejojë Izraeli të kthehemi? Dhe nëse luftimet rifillojnë, a do të mbetemi sërish të bllokuar?
Shkrim nga L’Orient Le Jour
Rrëfimi tronditës i drejtuesit të AFP-së në Gaza: Vajza ime e urren fjalën “gazetar”, e lidh me vdekjen
