Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar ndërprerjen e të gjitha bisedimeve tregtare me Kanadanë, ndërsa ka akuzuar vendin fqinj për sjellje të shëmtuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se dhënia fund e negociatave vjen pas publikimit të një reklame ku ish-presidenti i ndjerë Ronald Reagan flet negativisht për tarifat amerikane.
“Ata e bënë këtë vetëm për të ndërhyrë në vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-ve dhe gjykatave të tjera. Tarifat janë shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e SHBA-ve. Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë përfundojnë këtu.”
Reklama në fjalë shfaq ish-presidentin republikan Ronald Reagan, duke kritikuar tarifat ndaj mallrave të huaja dhe duke thënë se ato çojnë në humbjen e vendeve të punës dhe në luftëra tregtare.
Fondacioni Presidencial Ronald Reagan tha në një komunikatë se reklama nga Qeveria e Ontarios po përdor audio dhe video të përzgjedhura të Reaganit dhe se fondacioni po shqyrton opsionet ligjore.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha gjatë kësaj jave se vendi i tij nuk do të lejojë që SHBA-ja të ketë qasje të padrejtë në tregjet e saj, nëse dështojnë bisedimet për marrëveshjet e ndryshme tregtare me Uashingtonin.
Trump vendosi tarifa ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve kanadeze në fillim të këtij viti, duke bërë që edhe Kanadaja të përgjigjej me masa të ngjashme. Gjatë muajve të fundit, dy vendet kishin qenë në bisedime intensive për të arritur një marrëveshje të mundshme.
/vizionplus.tv

Leave a Reply