Mëngjesin e kësaj të premteje, 24 tetor 2025, një autobus pasagjerësh shpërtheu në flakë pas përplasjes me një motoçikletë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 25 personave dhe plagosur disa të tjerë në Indinë jugore.
Zjarri përfshiu autobusin brenda pak minutash, duke bllokuar dhjetëra pasagjerë, ndërsa ai po udhëtonte me shpejtësi përgjatë një autostrade pranë distriktit Kurnool në shtetin Andhra Pradesh.
Zyrtari i lartë i policisë Vikrant Patil, tha se disa pasagjerë arritën të thyenin dritaret dhe të shpëtonin me lëndime të lehta, ndërsa të tjerët u shkrumbuan.
Në bord ndodheshin 44 pasagjerë, shumica në gjumë gjatë përplasjes. Autobusi u shkrumbua plotësisht, ndërsa motoçiklisti i paidentifikuar gjithashtu humbi jetën.
Aksidenti ndodhi në fshatin Chinnatekuru pranë Kurnool, rreth 210 kilometra në jug të Hyderabadit. Autobusi po udhëtonte midis qyteteve Hyderabad në shtetin Telangana dhe Bengaluru në shtetin Karnataka.
Motoçikleta u përplas nga pas me autobusin dhe mbeti e bllokuar, duke u zvarritur për disa metra dhe shkaktuar shkëndija që përfshinë rezervuarin e karburantit të autobusit.
“Ndërsa tymi filloi të përhapej, shoferi ndaloi autobusin dhe u përpoq ta shuante zjarrin me një fikëse zjarri, por flakët ishin kaq intensive sa nuk mundi t’i kontrollonte,” tha zoti Patil.
Një ekip ekspertësh mjeko-ligjor po heton ngjarjen. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.
Aksidenti horror! Autobusi përplaset dhe shpërthen në flakë, 25 të vdekur
