Ndryshimet në ligjin për konkurrencën mbajnë peng hetimin e marrëveshjeve në prokurime

Mosmiratimi i ndryshimeve ligjore po pengon rolin e Autoritetit të Konkurrencës në evidentimin dhe ndëshkimin e marrëveshjeve të ndaluara të firmave në procedurat e prokurimit publik.Kryetari i Komisionit të Konkurrencës u shpreh në Kuvend se ligji aktual “Për mbrojtjen e konkurrencës” nuk përmban parashikime specifike për këtë fushë, ndërsa ndryshimet e propozuara nga ky institucion në ligj kanë ngelur pezull prej dy vjetësh.Sipas ndryshimeve të propozuara nga Autoriteti i Konkurrencës në variantin e fundit të konsultuar publikisht prej tij, projektligji shton përkufizimin e marrëveshjes në oferta, kur ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike.Format e marrëveshjes në oferta mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor; ofertat e përmbajtura, në rastet kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur në mënyrë që oferta e përcaktuar fituese në marrëveshje të pranohet si e tillë; ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre sipas një radhe të caktuar; ndarja e tregut, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë në pjesë tregun dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike.Projektligji i shton shprehimisht edhe kategoritë e marrëveshjeve në oferta në procedurat e prokurimit si marrëveshje të ndaluara.Projektligji parashikon edhe ngritjen e sistemit të menaxhimit të informacionit të Autoritetit të Konkurrencës, që do të ndërveprojë me bazat e të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.Tregu i prokurimeve publike është bërë në disa raste objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës.Disa prej formave të marrëveshjes në oferta, të përkufizuara më lart, janë bërë objekt dyshimesh nga opozita dhe media në vitet e fundit, veçanërisht në tenderat e infrastrukturës rrugore, kur ndodh që disa kompani ndajnë me njëra-tjetrën lotet e punimeve, duke konkurruar në mënyrë fiktive me njëra-tjetrën.Në përmbajtjen e ligjit në fjalë do të shtohet gjithashtu koncepti i praktikës së bashkërenduar, që përkufizohet se koordinimi ndërmjet ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.Projektligji parashikon zgjatjen e afatit që subjektet kanë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, nga 30 në 45 ditë. Por, në ndryshim nga ligji aktual, projektligji përcakton se subjektet nuk do të kenë të drejtë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Komisionit të Konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak.Ndërkohë, projektligji përmban për herë të parë edhe parashikime të qarta për afatet e parashkrimit për vendosjen e gjobave.Afatet e parashkrimit për vendosjen e gjobave do të jenë 3 vjet në rastin e shkeljeve të dispozitave në lidhje me kërkesat për informacion ose me zhvillimin e inspektimeve dhe 5 vjet në rastin e të gjitha shkeljeve të tjera.Afati i parashkrimit llogaritet që nga dita në të cilën është kryer shkelja. Në rastin e shkeljeve të vazhdueshme ose të përsëritura, parashkrimi duhet të fillojë të llogaritet nga dita në të cilën shkelja ndërpritet.Projektligji propozon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në pavarësinë financiare të Autoritetit të Konkurrencës. Me ligjin aktual, të gjitha të ardhurat e siguruara nga ky institucion duhet të derdhen në Buxhetin e Shtetit.Sipas projektligjit të propozuar, në buxhetin e shtetit do të vazhdojnë të derdhen vetëm të ardhurat nga gjobat.Ndërkohë, të ardhurat që krijohen nga procedurat e kontrollit të përqendrimeve, tarifat administrative për kontrollin e përqendrimeve dhe autorizimet e përqendrimeve, do të mbahen në llogarinë e Autoritetit të Konkurrencës dhe do të përdoren për qëllime investimi dhe shpenzime operative, të cilat kontribuojnë në përmbushjen e misionit të institucionit, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës. / E.Shehu  Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.