“Ndikimi i fotografëve italianë në vendet e Mesdheut gjatë shekullit XIX”, studiues dhe historianë mblidhen në Shkodër

Nga Julia Vrapi
Fotografët italianë, që udhëtuan nëpër Mesdhe, themeluan studio fotografike dhe krijuan praktika profesionale. Ndikimi i fotografëve italianë, që udhëtuan nëpër Mesdhe do të jetë edhe pjesë e një konference shkencore ndërkombëtare, që mbledh studiues dhe ekspertë fotografie në Shkodër. Konferenca “Ndikimi i fotografëve italianë në vendet e Mesdheut gjatë shekullit XIX”  organizohet nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër në bashkëpunim me Fondacionin Alinari për Fotografinë dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe në datat 24 dhe 25 tetor mbledh studiues, historianë dhe ekspertë të fotografisë nga Mesdheu e më gjerë. Muzeu bën me dije se konferenca do të zhvillohet në auditoriumin e gjimnazit “Atë Pjetër Meshkalla , Shkodër. “Konferenca do të trajtojë ndikimin e rëndësishëm të fotografëve italianë që udhëtuan nëpër Mesdhe, themeluan studio fotografike dhe krijuan praktika profesionale që vijojnë të jetojnë në traditat lokale, në ndjeshmëritë artistike dhe në dokumentimin vizual të rajonit”, thuhet nga muzeu “Marubi” për këtë konferencë që do të zhvillohet këto dy ditë. Sesioni i parë në ditën e parë të konferencës do të moderohet nga Luçjan Bedeni, drejtor i muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi” në Shkodër, ku në vijim do të ketë referime të profesionistëve dh ekspertëve të tjerë. Konferenca që është në bashkëpunim edhe muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës është në vijim dhe të tjera aktiviteteve më parë, ku ky muze ka qenë pjesëmarrës.
Pjesëmarrës në konferencë
Studiues, historianë arti dhe kuratorë ndërkombëtarë do të jenë në një forum të dedikuar trashëgimisë fotografike italiane në Mesdhe përgjatë dy ditëve, ku ndër pjesëmarrësit përmendim Cosimo Chiarellin, historian i fotografisë dhe kulturës vizuale dhe aktualisht asistent profesor i Artit Bashkëkohor në Universitetin e Pizës dhe hulumtues i asociuar në Universitetin e Lisbonës apo Simona Turcon që është arkiviste shtetërore dhe mban detyrën e Përgjegjëseve të Kabinetit Kombëtar të Fotografisë pranë Institutit Qendror për Katalogimin dhe Dokumentimin (ICCD). Pjesëmarrës në konferencë edhe Vittorio Mirto, që është një arkeolog dhe studiues i doktoraturës në Universitetin e Bolonjës, kërkimi i të cilit heton peizazhet e lashta të Shqipërisë së jugut përmes një qasjeje ndërdisiplinore që integron arkeologjinë, gjeomorfologjinë dhe dokumentacionin historik.  Në materialin për konferencën janë edhe Alessandro Laita dhe Chiaralice Rizzi diplomuar në Arte Pamore në Universitetin IUAV të Venedikut apo dhe Silvia Paoli që është konservatore e trashëgimisë kulturore dhe përgjegjëse e Arkivit Fotografik të Qytetit të Milanos. Ndërsa nga Mali i Zi përmendim historianët Tatjana Koprivica dhe Slavko Burzanović, por në këtë konferencë do të referojnë dhe emra të tjerë që janë pjesëmarrës.