Në Lezhë u përkujtua 154-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, figurë madhore e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Me këtë rast u mbajt edhe edicioni i vitit 2025 i ndarjes së çmimeve letrare “At Gjergj Fishta”. Edicioni i këtij viti shënon një pjesëmarrje të gjerë nga krijues të fushave të ndryshme letrare.
Në garë morën pjesë 82 autorë me libra poetikë, vepra në prozë dhe përkthime letrare, të cilët u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Rudolf Marku kryetar, Ernestina Halili dhe Bajram Kosumi anëtare. Në zhanrin e poezisë, çmimin e parë e fitoi poeti Lulzim Tafa, në prozë u vlerësua Ermal Hasimja, ndërsa për përkthimin më të mirë letrar çmimi iu dha Milena Selimit. Më herët Bashkia Lezhë shprehej se ky edicion vjen si një dëshmi e gjallë e pasurisë së gjuhës shqipe dhe e përkushtimit të krijuesve tanë ndaj fjalës së bukur artistike, në nderim të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës. Konkursi mbarëkombëtar letrar “At Gjergj Fishta” është zhvilluar dhe më parë nga Bashkia Lezhë dhe përfshin autorë nga e gjithë Shqipëria dhe përtej saj. Por “Tetori Fishtjan” ka sjellë aktivitete të ndryshme, ku pjesë ishte më parë dhe ekspozita “Fjala që ngriti Kombin” veprat dhe trashëgimia e At Gjergj Fishtës. Në kuadër të përkujtimit të trashëgimisë së figurave të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare, si dhe në nderim të “Muajit Fishtjan”, biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë çeli ekspozitën kushtuar At Gjergj Fishtës. Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871.
Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Në vitin 1913 themelon revistën “Hylli i dritës” dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937). Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Konkursi letrar “At Gjergj Fishta”, shpallen fituesit në poezi, prozë dhe përkthim
