“Shqipëria nuk mund të hyjë në BE me zgjedhje katastrofike”, Burimi paralajmëron: Rilindja nuk ka të drejtë të..

Gazetari që jeton e punon në Paris, Genc Burimi, duke komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, është shprehur se Partia Demokratike dhe opozita duhet të kërkojnë ribërjen e zgjedhjeve.
Sipas Burimit, duhet të krijohet një qeveri teknike dhe zgjedhjet parlamentare të ribëhen në vitin 2027, së bashku me zgjedhjet lokale.
‘E thoja shpesh që duhej pritur ky raport, dhe ky raport konfirmon sot, që jo vetëm që nuk duhej të hyhej në zgjedhje, por sot, në bazë të këtij raporti, PD-ja duhet të kërkojë ribërjen e zgjedhjeve të 11 majit,’ u shpreh Burimi.
Gazetari solli edhe një krahasim me zhvillimet politike në Francë, duke theksuar se ribërja e zgjedhjeve nuk është tabu.
‘Në Francë kërkohen sot të ribëhen që tani zgjedhjet presidenciale. Nuk ka tabu në Francë. Macroni i ka zgjedhjet në 2027 dhe, duke parë krizën, ish-vetë kryeministrat e Macron kërkojnë zgjedhje, e jo më në Shqipëri, ku sot ke një raport që do të thotë se në Shqipëri loja nuk ishte e barabartë dhe duhet riparë i gjithë sistemi, me sanksione të dhimbshme për ata që abuzojnë me financat publike. Atëherë jo, zotërinj ndërkombëtar, këto zgjedhje duhet të ribëhen me qetësi,’ theksoi Burimi.
Ai propozoi që data e re e zgjedhjeve të përkojë me ato vendore të vitit 2027.
‘Për mendimin tim, të merret data e zgjedhjeve bashkiake në 2027, që mbase për kohën edhe me përfundimin e negociatave, të bëhen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, dhe atëherë BE-ja t’i japë viston Shqipërisë. Nuk mund të hysh në Europë sot me këtë raport katastrofik,’ shtoi ai.
Burimi theksoi gjithashtu se zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen nën drejtimin e një qeverie teknike, pa Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste.
‘Zgjedhjet të ribëhen me një qeveri teknike, ta ketë PS-ja pa Edi Ramën dhe të bëhen nga e para. Edi Rama sot, nëse është kurajoz, le t’i ribëjë zgjedhjet dhe t’i fitojë, nëse mundet’ deklaroi ai.
Në përfundim, Burimi nënvizoi se raporti i OSBE/ODIHR evidenton pabarazi në garë dhe e vendos në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor dhe të negociatave me Bashkimin Europian.
‘Në një moment ja thotë raporti që ai nuk kishte nevojë të bënte siç i bëri. Edi Rama ka përfituar nga një lojë e pabarabartë. Ato negociata nuk mund të mbyllen veç nëse mbyllet kapitulli kryesor mbi themeloret, dhe ky raport sot është në kontradiktë të thellë me themeloret, sepse zgjedhjet janë prishur,’ tha gazetari Genc Burimi.